Ish-deputetja e Parlamentit Evropian nga radhët e CDU-së gjermane dhe ish-presidentja e Grave të EPP-së, Doris Pack, ka reaguar në ‘Twitter’ lidhur me pezullimin e certifikatës së biznesit të Klan Kosovës.
Reagimet e saja kanë ardhur si replikë ndaj komentimit të kësaj situate nga ish-ambasadori amerikan, Greg Delawie. Ky i fundit e ka kundërshtuar vendimin e AKREP-it për refuzimin e ankesës së këtij mediumi, por Pack i ka replikuar duke thënë se kjo media i takon një shteti që interesi i vetëm i saj është dezinformimi dhe lajmet e rreme.
“Kjo medie i takon një shteti, interesi i vetëm i së cilës është dezinformimi dhe lajmet e rreme. Njësoj siç bën Rusia dhe si është e ndaluar në Evropë. Mos bini pre në mënyrë të vazhdueshme në kurthet politike të Serbisë”, ka shkruar Pack.
Ajo i ka replikuar edhe ambasadorit gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, i cili ka thënë se mbyllja e një prej mediave më të mëdha në Kosovë është goditje serioze për lirinë mediale.
“Zotëri ambasador, duhet të jeni të kujdesshëm në gjykimin tuaj për këtë version: kjo media i takon një shteti të huaj, që nuk ka asnjë interes për gazetarinë e mirë dhe të saktë. Kjo është e dukshme sidomos në këtë kohë kur dialogu mes Serbisë dhe Kosovës është tejet i rëndësishëm”, ka qenë replika e Doris Pack.
Pezullimi i certifikatës së biznesit dhe refuzimi i ankesës së Klan Kosovës nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka ngjallur reagime të shumta, teksa kryeministri Kurti ka thënë dje se rregullat e regjistrimit të biznesit janë detyrim ligjor dhe jo çështje ligjore. Ai po ashtu ka thënë se demokracia sulmohet kur biznesmenë të fuqishëm shkelin ligjin për përfitime financiare dhe se zbatimi i ligjit kundër shkeljeve të njerëzve të tillë nuk përbën sulm ndaj lirisë së medias.
Ndërkohë për nesër Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka paralajmëruar protestë me moton “Demokracia vdes në errësirë”.