Ahmeti tronditë Maqedoninë: Japin dorëheqje të gjithë ministrat e BDI-së

E publikuar: 30/07/2023 16:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti përmes një statusi në facebook i drejtoi një letër publike kryeministrit Dimitar Kovaçevski, duke thënë se ministrat dhe funksionarët e BDI-së do të japin dorëheqje, të cilat do të hyjnë në fuqi pasi të votohen ndryshimet kushtetuese.

“Duke u nisur nga kushtëzimi i opozitës se do të votonin ndryshimet kushtetuese nëse Bashkimi Demokratik për Integrim del nga Qeveria, duke qenë se Bashkimi Demokratik për Integrim dhe unë, mbetemi të përkushtuar në përcaktimin se integrimi euroatlantik, me të drejta të plota i shtetit, përpos se në NATO, edhe në Bashkimin Evropian, si dhe aleanca e pashkëputur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë qenë, janë dhe mbeten interesi më madhor i të gjithë qytetarëve tanë, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare e fetare, ne ministrat dhe funksionarët qeveritarë nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim japim dorëheqje nga postet që aktualisht jemi duke i ushtruar! Dorëheqjet, z. Kryeministër, efektuohen me automatizëm në momentin kur opozita të votojë ndryshimet kushtetuese”- shkruan Ahmeti.