Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka reaguar pas vendimit për mbylljen e mediumit Klan Kosova.
Hajdari përmes një postimi në Facebook, ka thënë se çdo biznes në Kosovë e ka obligim që ta respektojë Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë.
Ajo tutje ka thënë se MINT është e vendosur për të mbrojtur rendin dhe ligjin në çdo rast papërjashtim dhe sipas saj nëse një biznes merret me media, nuk amnistohet.
“Çdo biznes me veprimtari në Republikën e Kosovës, e ka për obligim që të respektojë Kushtetutën dhe ligjet e vendit tonë. Ndërsa, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është e vendosur për të mbrojtur rendin dhe ligjin në çdo rast brenda fushëveprimit të saj, pa përjashtim e pa diskriminim. Fakti që një biznes sh.p.k., mes shumë veprimtarive të tjera, merret edhe me media, nuk e amniston aspak prej llogaridhënies për shkeljet ligjore që i kryen, sado i fuqishëm që të jetë ekonomikisht apo politikisht.” – ka thënë Hajdari.
Ajo tutje ka shkruar se procedimi i rastit të Klan Kosovë ka përfunduar, sa i përket vendimmarrjes në kuadër të Ministrisë.
Ministrja Hajdari ka ftuar Policinë e Kosovës dhe prokurorët kompetentë që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për hetim.
“Për sa i përket vendimmarrjes në kuadër të MINT, procedimi i rastit Klan Kosova sh.p.k. ka përfunduar. I ftoj Policinë e Kosovës dhe prokurorët kompetentë, që të ndërmarrin hapat e nevojshëm ligjorë për të hetuar, deri në fund, shkeljet ligjore të kryera nga ana e këtij biznesi, si dhe nga ana e disa zyrtarëve të ARBK, për të cilat shkelje ligjore kjo Ministri ka parashtruar kallëzim penal para disa javësh.” – ka përfunduar ministrja.