Mbahet takimi Kurti-Sarrazin, nuk bëhet e ditur tema e diskutimit

E publikuar: 25/07/2023 19:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin

Kryeministri Kurti dhe emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar të martën në orët e para të mbrëmjes të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Këtë e ka bërë të ditur Qeveria e Kosovës përmes një komunikate për media.

Ndonëse ky takim ishte paralajmëruar në ora 21:30, për shkak të ndryshimit të agjendës është mbajtur më herët.

“Ju njoftojmë se për shkak të ndryshimeve në agjendë, takimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Emisarit të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, i paralajmëruar të mbahej sonte në orën 21:30, tashmë është mbajtur dhe ka përfunduar në orët e para të mbrëmjes”, thuhet në komunikatën për media nga Qeveria e Kosovës.

Qeveria nuk ka dhënë më shumë detaje në lidhje me takimin e mbajtur në mes të Kurtit dhe Sarrazinit.