Ekspertët: Instituti për hetimin e krimeve të luftës s’do të ketë shumë rezultate, kompetente deri në fund të viti 2000

E publikuar: 23/07/2023 09:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Trajtimi i rasteve nga Instituti për hetimin e krimeve të luftës, nuk mund të prodhojë shumë rezultate. Për këtë çështje, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi si adresë kryesore e konsiderojnë Prokurorinë Speciale të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Ndërsa nga Fondi për të Drejtën Humanitare thonë se kompetencat për dokumentimin e krimeve mund të jetë deri në fund të vitit 2000.Juristi Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se Republika e Kosovës ka nevojë t’i trajtojë rastet e krimeve të luftës, teksa adresë e sheh Prokurorinë Speciale.

Për këtë të fundit, Shala kërkon fuqizim. Ai thotë se ndjekje penale s’mund të bëjë ky Institut.

“Realisht Instituti për Krime Lufte ka qenë i themeluar edhe më parë e që më pas është shuar dhe që ligji në fjalë në fakt e rithemelon këtë Institut. Nëse e shohim se cilat janë kompetencat e këtij instituti, nuk mund të themi se mund të bëhet luftimi i krimeve të luftës përmes këtij Instituti”.

“Po synohet që ky Institut të dokumentojë krimet e kryera në Kosovë, mirëpo nëse flasim për atë se çfarë nevojitet në raport me krimet e luftës në Kosovë e që është ndjekja penale dhe gjykimi i rasteve të krimeve të luftës, ky Institut nuk do të mund ta bëjë, për këtë arsye nëse flasim në përgjithësi për nevojën që ka Kosova për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës, adresa kryesore është Prokuroria Speciale e Kosovës dhe në secilin rast nëse duam të kemi ndjekje dhe gjykim efektiv të këtyre rasteve, definitivisht adresa është Prokuroria Speciale e cila duhet të fuqizohet në këtë drejtim”.

“Për kundër aspekteve pozitive ndoshta që mund të bëjë Instituti, kompetencat e këtij Instituti nuk janë të asaj natyre që mund të sjellin drejtësi për viktimat e krimeve të luftës, për shkak se nuk kanë mandat në kuptim të ndjekjes apo gjykimit të rasteve të krimeve të luftës”, thotë Shala.

Ndërkaq, Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare, ka treguar për Ekonomia Online fushëveprimtarinë e këtij Instituti.

Bazuar në Ligj, krahas periudhës së luftës, kompetenca ka që t’i dokumentojë deri në fund të vitit 2000.

“Bazuar në Ligjin që është votuar në javën e kaluar, dokumentimi i krimeve të luftës i cili do të bëhet nga ky Institut është parashikuar të bëhet për periudhën janar 98’ deri më 20 qershor 1999, pra këtu përfshihet kryesisht periudha e luftës, por po ashtu janë edhe dy paragrafë brenda këtij ligji thonë që krimet që i kanë parapri apo kanë ndodhur para fillimit dhe që i kanë parapri luftës, mund të dokumentohen nga ky Institut si dhe periudha e pas përfundimit të luftës deri në dhjetor të vitit 2000 mund të ketë kompetenca ky Institut që t’i dokumentojë edhe këto krime, e që nuk hyjnë në kornizën e krimeve të luftës”, thotë Alija.

Sipas tij, pas dokumentimit të viktimave, palët nuk do të mund t’i mohojnë krimet, pasi sipas tij, çdo viktimë do të jetë e dokumentuar.

“Sa i përket dokumentimit të viktimave të krimeve të luftës, Fondi për të Drejtat Humanitare në Kosovë dhe në Serbi, që nga përfundimi i luftës janë duke punuar në dokumentimin e viktimave të luftës dhe kanë arritur t’i dokumentojnë të gjitha viktimat të cilët e kanë humbur jetën gjatë kohës së luftës dhe përmes këtij dokumentimi, sigurisht që palët do ta kenë më problem që t’i mohojnë këto krime, për arsye se çdo viktimë është dokumentuar me emër dhe mbiemër”, thotë Alija.