Qeveria kontrakton për lobim mikeshën e Donika Gërvallës, 147 mijë euro për “t’u ndrequr” me Amerikën

E publikuar: 19/07/2023 15:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës ka lidhur një kontratë lobimi me “Aferdita Rakipi Communications LLC” për të lobuar në avancimin e raporteve dypalëshe në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kjo kontratë që ka hyrë në fuqi nga data 3 korrik, kap vlerën e 147 mijë eurove dhe është e vlefshme për një vit.

Sipas dokumentit zyrtar të publikuar nga FARA, kompania në fjalë në bazë të kontratës së nënshkruar me Ministrinë e Punëve të Jashtme ka për obligim që “të ofrojë këshilla, avokim dhe komunikim me degët legjislative dhe ekzekutive të qeverisë amerikane për të avancuar marrëdhëniet dypalëshe midis SHBA-së dhe qeverisë të Kosovës”

Gazeta Express është interesuar lidhur me këtë kontratë dhe rreth kompanisë lobuese në pronësi të Avni Mustafaj, megjithatë nga Ministria e Punëve të Jashtme kanë thënë se për “arsye të kuptueshme” nuk komentojnë asnjëherë kontrata lobimi.

Ambasadori i Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ilir Dugolli, në një raport të cilin ia kishte dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme më 18 dhjetor 2022 kishte ngritur shqetësime serioze për pozicionin e Kosovës në raport me SHBA-në. Dugolli kishte thënë se trajtimi nga SHBA është dukshëm më brutal se sa që përceptohet.

Gjithashtu Dugolli kishte thënë se ka një ngurrim të dukshëm për të biseduar rreth nisjes së dialogut strategjik, pavarësisht insistimit të Ambasadës.

Screenshot- Raporti i Amb. Ilir Dugolli.

Screenshot- Raporti i Ambasadorit Dugolli
Raportet e Kosovës me SHBA-në janë acaruar ndjeshëm pas ngjarjeve të fundit në veri. Departamenti Amerikan i Shtetitnë një reagim që kishte bërë lidhur me vendimin e Kosovës për t’i çuar kryetarët e katër komunave në veri në objekte komunale, kishte potencuar se një veprim i tillë i Qeverisë së Kosovës do të ketë impakt në raportin mes SHBA-së dhe Kosovës.

Por kush janë Afërdita Rakipi dhe Avni Mustafaj?

Siç shkruan Radio Evropa e Lirë, kërkimi i emrave të tyre në rrjete sociale dhe ueb-faqe të tjera tregon se të dy kanë qenë veprimtarë për çështjet e komunitetit shqiptaro-amerikan në SHBA dhe për Kosovën, para dhe gjatë luftës së vitit 1999.

Rakipi, e lindur në Miçigen të SHBA-së, e ka njohur ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, edhe para kontraktimit për lobim. Nëntë vjet më parë, Gërvalla e ka etiketuar atë në një sfidë leximi përmes një postimi në llogarinë e saj në Facebook.

Në llogarinë e saj në Twitter, Rakipi nuk ka bërë ndonjë postim origjinal prej se presidenti amerikan, Joe Biden, ka marrë detyrën në fillim të vitit 2021. Por, që atëherë, Rakipi i ka shpërndarë disa postime të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Ajo, gjithashtu, ka shpërndarë postime ku kritikohet qëndrimi i SHBA-së lidhur me tensionet e fundit në veri të Kosovës.

“Shtetet e Bashkuara po gërmojnë kundër marrjes së zyrave të tyre nga kryetarët e zgjedhur në mënyrë demokratike. Ndoshta mund të kishte ndodhur ndryshe, por që kur ne e ndëshkojmë një vend për demokracinë e vet? Diçka seriozisht nuk po shkon me politikën amerikane”, thuhet në një postim të rishpërndarë nga Rakipi.

Aktualisht, në llogarinë e tij në Twitter, edhe Mustafaj shfaqet kritik ndaj Bashkimit Evropian për qëndrimin e mbajtur ndaj Qeverisë së kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Duke reaguar ndaj një postimi të Departamentit amerikan të Shtetit për ish-sekretaren e Shtetit, Madeleine Albright, Mustafaj shprehet kritik edhe ndaj SHBA-së.

“Amerikës, në të vërtetë botës, i mungon mençuria dhe guximi i Madeline Albrightit për ta bërë atë që është e drejtë. Më duhet të besoj se ajo do të ishte tmerrësisht e zhgënjyer që SHBA-ja nuk po qëndron fort prapa Kosovës në vend që ta qetësojë [presidentin e Serbisë, Aleksandar] Vuçiq – një diktator. Populli i Kosovës meriton më mirë”, shkroi ai në Twitter.

Mustafaj, i lindur në Nju Jork të SHBA-së, ka qenë person kyç në Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC), si dhe anëtar i organizatës Germin në Kosovë, që merret kryesisht me çështje të diasporës.

Sipas përshkrimit të dhënë nga Germin, Mustafaj ka udhëhequr delegacionet amerikane në negociatat për çështjen e Kosovës në Rambuje të Francës, më 1999. Aty ka marrë pjesë edhe Rakipi, e cila gjithashtu ka qenë pjesë e NAAC-it.

Në mars të vitit 1999, të dy ata kanë marrë pjesë në një takim me presidentin e atëhershëm të SHBA-së, Bill Clinton, në Shtëpinë e Bardhë.

Në vitin 2012, Mustafaj, si drejtor ekzekutiv i NAAC-it, është takuar edhe me kryeministrin e atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi.