Politikani republikan, Tom Kean, kryetar i Nënkomitetit të Dhomës së Përfaqësuesve për Punët e Jashtme për Europën në Kongresin Amerikan, tha se SHBA-ja duhet ta marrë një rol udhëheqës në Ballkanin Perëndimor.
Në mbledhjen në Capitol, përpara se të raportonte i dërguari amerikan, Gabriel Escobar, Kean tha se prosperitetin dhe stabilitetin e paqes në rajon e pengon më së shumti mosnormalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, raporton Gazeta Express.
“…Është detyrë që Shtetet e Bashkuara të marrin një rol udhëheqës në Ballkanin Perëndimor. Administrata e fundit e kuptoi rëndësinë e udhëheqjes së SHBA-së në rajon, ofron një mundësi për të siguruar që Administrata Biden të investojë në mënyrë të ngjashme”, tha ai.
Kean tha se “nuk ka asnjë çështje të vetme që e pengon Ballkanin Perëndimor më shumë sesa dështimi për t’i normalizuar marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”.
Ai tha se duke pasur parasysh këto, Administrata Biden “duhet ta rimendojë rrënjësisht qasjen e saj”.