BE-ja i kërkon Maqedonisë së Veriut votimin e ndryshimeve kushtetuese

E publikuar: 17/07/2023 19:38
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian i kanë kërkuar Maqedonisë së Veriut që t’i miratojë sa më shpejt ndryshimet kushtetuese, për t’ua hapur rrugën bisedimeve për anëtarësim në bllokun evropian.

Ky mesazh u është përcjellë autoriteteve maqedonase nga Sekretarja shtetërore e Francës, Laurence Boon, ministrja gjermane për Evropën, Anna Leermann dhe ministri polak për Evropën, Szymon Szynkowski.

Tre zyrtarët e lartë të shteteve anëtare të BE-së, gjatë një vizite të hënën në Shkup, kanë thënë se procesi i anëtarësimit në BE nuk mund të nisë e as të përmbyllet pa plotësimin e kushteve, para se gjithash ndryshimin e kushtetutës.

Këto ndryshime duhet të bëhen për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, si popull shtetformues, ashtu siç parashihet me atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e çështjeve të hapura të Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë.

“Mesazhi i parë është se Maqedonia e Veriut i përket familjes së BE-së, e dyta është se vendimi tani është në duart e vendit tuaj, mesazhi i tretë është se kjo lëvizje tani është e nevojshme për shkak të momentit që ekziston në BE. Nga Bullgaria nuk do të ketë kërkesa dhe kushte të reja, pas përfundimit të ndryshimeve kushtetuese”, ka thënë zyrtarja franceze, Boon, pas takimit që ka pasur me zëvendëskryeministrin maqedonas, Bojan Mariçiq.

Ministrja gjermane e ka nisur dhe përfunduar fjalimin në gjuhën maqedonase për t’i siguruar autoritetet maqedonase, e në veçanti opozitën, se gjuha maqedonase nuk rrezikohet dhe njihet si e tillë edhe pas plotësimit të kushtit për përfshirjen e pakicës bullgare në kushtetutë.

“Mesazhi ynë është i qartë – theksojmë mbështetjen që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e BE-së. Tani, dritarja për zgjerimin e BE-së është e hapur, gjë që kërkon përgjegjësi dhe mendim strategjik. Ne ju mbështesim që të vazhdoni në rrugën e reformës. Amendamentet kushtetuese do të konfirmojnë rolin e Maqedonisë së Veriut si shtet multietnik dhe kështu vendi do të mund të vazhdojë me anëtarësimin. U bëj thirrje të gjitha subjekteve politike që të mbështesin ndryshimet kushtetuese, çdo vonesë do të jetë në dëm të qytetarëve. Tani është koha për vendime, për përgjegjësi”, ka thënë ministrja gjermane për Evropën, Anna Leermann.

Zyrtarët evropianë kanë thënë se “Maqedonia e Veriut duhet të shfrytëzojë periudhën e turbullt gjeopolitike për t’i arritur synimin e saj për integrim në BE”.

“Mesazhi ynë është i qartë – ne duam ta mbështesim Maqedoninë e Veriut në rrugën drejt BE-së dhe ta shohim atë si një anëtare të plotë. Tashmë u takon strukturave politike t’i përfundojnë ndryshimet kushtetuese. Duhet të jetë një vendim sovran i vendit. Tani është momenti, nuk ka kohë për të pritur, sepse shansi mund të humbet”, ka thënë ministri polak Szynkoëski.

Vizita e zyrtarëve të Francës, Gjermanisë dhe Polonisë vjen një javë pas atyre të Austrisë, Çekisë dhe Sllovakisë, të cilët gjithashtu përcollën mesazhe për përmbushjen e kushteve për vazhdimin e bisedimeve me BE-në.

“Pres që të gjitha partitë politike ta kenë prioritet vazhdimin e suksesit të vitit të kaluar. Të miratojmë ndryshimet kushtetuese, të mos kthehemi në sallën e pritjes, por të shkojmë përpara”, ka thënë zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.

Por, pavarësisht mesazheve të qarta të diplomatëve evropianë, opozita maqedonase ka thënë se nuk do t’i mbështesë ndryshimet kushtetuese.

Ato nuk mund të miratohen pa votat e deputetëve të VMRO DPMNE-së, pasi shumica parlamentare nuk i ka dy të tretat e votave të mjaftueshme në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.

VMRO DPMNE-ja është kundër këtyre ndryshimeve, me arsyetimin se me përfshirjen e pakicës bullgare në kushtetutë, nuk do të marrë fund “diktati bullgar” ndaj popullit maqedonas./REL