Sa do të shpenzonit për foton perfekte të pushimeve? Përgjigja, për disa, është shumë.
Nga Santorini në Dubai dhe Aruba, bizneset e fotografisë po përhapen gjithnjë e më shumë për t’u kujdesur për turistët që kënaqen me fotot e pushimeve luksoze. Fotosesionet luksoze me “fustan fluturues” në këto destinacione mahnitëse po nxisin një bum për industrinë e fotografisë së kohës së lirë dhe bizneset lokale.
Vitet e fundit, fotografët e Flying Dress Photo në ishullin grek të Santorinit kanë kaluar verën e tyre duke kapur të njëjtin imazh pa pushim: turistë që pozojnë në sfondin e shtëpive të zbardhura dhe kupolave blu, ndërsa kanë veshur fustane luksoze prej sateni me bisht shumë të gjatë.
Me një mesatare prej tetë fotosesionesh me “fustan fluturues” në ditë, secila me një çmim mbi 550 € në orë për person, ky biznes i vogël – modeli i të cilit bazohet në ofrimin e vetëm një lloji shërbimi, fotografi pushimesh shumë të përshtatshme në Instagram – mund të sjellë pothuajse gjysmë milioni dollarë fitime në vetëm katër muaj.
Ky është një vlerësim konservativ, raporton Bloomberg, pasi klientët priren të grumbullojnë shërbime shtesë, të cilat kanë kosto shtesë. Shërbimet shtesë përfshijnë transportin për në dhe nga vendi i xhirimit 90 €, grimi dhe stilimi i flokëve 300 € dhe një asistent personal për të ndihmuar në hedhjen e fustanit në ajër 50 €.
Paketa u ofron klientëve vetëm veshje në masa universale, “one size” – megjithëse nëse dëshironi të përdorni masa të ndryshme apo më shumë se një fustan, do t’iu kushtojë 120 € shtesë. Për një klient të vetëm që rezervon paketën e plotë, xhirimet kushtojnë gjithsej 1500 €.
Top Channel