Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se Policia e Kosovës po bënë punë të jashtëzakonshme dhe po qëndron e palëkundur më misionin e rendit dhe sigurisë publike.
Madje sipas tij, Policia po e mbron dinjitetshëm dhe me sukses jetën e qytetarëve edhe në veriun e Kosovës. Në këtë pjesë tha ai Policia po përballet me banda kriminale.
Sveçla të diplomuarve të gjeneratës së 58-të të policëve u tha se duhet t’u shërbejnë qytetarëve pa dallim.
“Shpreh kënaqësinë dhe nderin e veçantë që sot të gjendem këtu e para jush. Diplomimi është moment i jetësimit të sakrificave si dhe rezultat i përkushtimit e sakrifikimit të secilit prej jush. Ajo po mbron dinjitetshëm dhe me sukses jetën e qytetarëve tanë dhe me sukses tani më shumë se kurrë përfshihet edhe në veriun e Kosovës”.
“Në veriun e vendit tonë Policia po përballet me banda kriminale të cilët po mundohen të cenojnë jetën e qytetarëve tanë. Policia e Kosovës po zhvillon një punë të jashtëzakonshme dhe po qëndron e palëkundur më misionin e rendit dhe sigurisë publike. Duhet të ndihemi krenarë e ballëlartë për uniformën që mbani dhe çka përfaqësoni. Sot kemi 418 kadetë prej të cilëve edhe kadetë serbë e boshnjakë. Sot ju do të betoheni se do t’i shërbeni vendit me përgjegjësi dhe gatishmëri. Ju do punoni çdo ditë në interes të qytetarëve pa dallim. Nga sot ju nuk do të jeni vetëm emra të përveçëm, por përfaqësoni shtetin e Kosovës. Policia e Kosovës është një familje e madhe, dhe të qenit pjesë e saj nuk është vetëm karrierë profesionale por edhe mënyrë e jetesës”, tha Sveçla.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë Gazmend Hoxha, duke i’u uruar mirëseardhje të diplomuarve, tha se të ata kanë kaluar një trajnim rigoroz e profesional, raporton EO.
“Të nderuar policë të gjeneratës së 58-të, jeni duke kaluar nga kadetë të zellshëm në policë meritorë. Falënderoj familjet e juaja në përzgjedhjen e profesionit të policit”.
“Nga sot e tutje do t’i bashkoheni një familjeje të madhe, asaj të Policisë së Kosovës. Ju keni kaluar një trajnim rigoroz e profesional”, u shpreh Hoxha.