Memli Krasniqi për incizimet e Kusarit me Listën Serbe: Marrëzia e ka mbuluar pushtetin e Albin Kurtit

E publikuar: 12/07/2023 22:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Memli Krasniqi-034145_Facebook

Memli Krasniqi-034145_Facebook

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka reaguar sonte pas publikimit të audio-incizimeve ku shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila dëgjohet duke biseduar me përfaqësuesit e Listës Serbe Sllavko Simiq dhe përmes tij edhe me kriminelin në kërkim Millan Radojçiq.

“Ofendimi i veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i heroit Enver Zymberi – që ra në detyrë duke mbrojtur sovranitetin e shtetit, si dhe i kolegëve të mi të Partisë Demokratike të Kosovës nga eksponentja kryesore e pushtetit të Albin Kurtit në Kuvendin e Kosovës, është manifestimi më i hapur i mentalitetit tinëzar, mashtrues e pa dinjitet, që e ka kjo mazhorancë që sot e drejton vendin. Aq më shumë kur krejt këto paskan ndodhur gjatë serive të koordinimit me punëtorët e Milan Radojçiqit”, tha Krasniqi në faqen e tij në facebook.

Ai ka thënë se këto ofendime të shefes së deputetëve të VV-së janë të papranueshme dhe përbëjnë dëshminë e radhës se me këtë mentalitet, Kosova jo vetëm që s’ka të ardhme, por rrezikon ta cenojë edhe të kaluarën e saj të lavdishme.

“Qeverisja e Albin Kurtit e ka degraduar çdo sferë të jetës. Stagnim në ekonomi, komë në diplomaci, kolaps në shendetësi, degradim në arsim, izolim ndërkombëtar e kërcënim të fjalës së lirë. Tashmë edhe dëshmi konkrete për veprime të koordinuara mes Kurtit e Radojçiqit, përmes mashave të tyre Kusari-Lila e Simiq”, tha lideri i opozitës.

Kreu i PDK-së tha se ka vetëm një rrugë për ta ndalë këtë degradim të gjithanshëm: “Zgjedhje të parakohshme sa më shpejt, për ta kthyer Kosovën në drejtimin e duhur!”.