Osmani përfaqësuesit të UNDP-së i kërkon mbështetje për fuqizimin ekonomik të grave, e fëmijët me nevoja të veçanta

E publikuar: 10/07/2023 13:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim përfaqësuesin e UNDP-së në Kosovë, Nuno Querios, të cilit i uroi mirëseardhje dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit në projektet, të cilat do të zbatohen në Kosovë nga UNDP-ja.

Gjatë takimit Osmani vlerësoi lartë kontributin e UNDP-së në mbështetjen e shumë programeve dhe projekteve në Kosovë, me theks të veçantë tek ato për gratë, rininë, mjedisin dhe personat me nevoja të veçanta.

Presidentja Osmani kërkoi mbështetje për projektet, të cilat janë ndër prioritetet e mandatit të saj, të cilat përfshinë fuqizimin ekonomik të grave, përkrahjen e fëmijëve me nevoja të veçanta, si dhe agjendën e gjelbër.

Ndërsa, përfaqësuesi i UNDP, u shpreh i hapur për të bashkëpunuar për t`i përkrahur këto prioritete duke marrë parasysh edhe projektet e ngjashme që po zhvillohen  në rajon.

Ndër të tjera, u diskutua edhe për Forumin për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili organizohet nga Presidentja Osmani. Presidentja falënderoi UNDP-në për partneritetin dhe bashkëpunimin e deritanishëm, si dhe nga ky takim u riikonfirmua mbështetja edhe për këtë vit.