Serbia e koordinuar me Rusinë për një seancë në KS të OKB’së, Rama pati një përgjigje në Beograd

E publikuar: 08/07/2023 14:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, para dy ditësh ka thënë se do të kërkojë një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për “situatën në Kosovë”.

Këtë kërkesë Vuçiq e bëri duke pretenduar se në Kosovë po kryhet një “aksion i pogromit, persekutimit dhe spastrimit etnik të serbëve, i cili është mirë i organizuar dhe i mbështetur nga një pjesë e komunitetit ndërkombëtar”.

Kësaj kërkese të Vuçiqit i doli krah edhe Rusia, raporton Gazeta Express.

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse, Marija Zakharova, duke iu përshtatur retorikës së Vuçiqit se në Kosovë ekziston “një kërcënim për mbijetesën e serbëve të Kosovës”, tha se e vlerëson këtë iniciativë.

“Moska është e shqetësuar nga një tjetër përshkallëzim i dhunës në provincën autonome serbe të Kosovës. Situata po del jashtë kontrollit, ekziston një rrezik i drejtpërdrejtë për mbijetesën e popullit serb”, tha Zaharova, duke shtuar se iniciativa e Vuçiq është në kohën e duhur.

Ajo tha arsyeja është “politika e spastrimit etnik, pogromit, dëbimit dhe terrorit ndaj serbëve të udhëhequr nga autoritetet shqiptare të Kosovës dhe se e gjithë kjo po ndodh me mbështetjen e plotë të SHBA-së dhe BE-së, të cilat nuk duan t’i ndalojnë ultra-radikalët në Prishtinë”.

“Në vend të kësaj, kryeqytetet perëndimore po kërkojnë mënyra të reja për të ushtruar presion mbi Beogradin dhe popullin serb, duke sajuar akuza të paturpshme, duke përfshirë ato kundër përfaqësuesve të Kishës Ortodokse Serbe. Rusia ndan mendimin e presidentit të Serbisë për situatën aktuale të krizës”.

Për këtë kërkesë të Vuçiqit në Beograd u pyet edhe kryeministri shqiptar Edi Rama.

Gazetarja e televizionit publik serb e pyeti Ramën nëse Shqipëria, si anëtare e Këshillit të Sigurimit, do të votojë pro apo kundër për ta futur këtë pikë për Kosovën në agjendë.

Rama nuk dha një përgjigje përfundimtare, duke thënë se Shqipëria në Këshill të Sigurimit koordinon veprimet me aleatët e NATO-s, tha se për këtë ide ka dëgjuar vetëm në media dhe se nuk e di saktë atë çka ka propozuar presidenti i Serbisë.

“Për sa i përket pyetjes që më bëtë për Këshillin e Sigurimit – ne jemi anëtarë të Këshillit të Sigurimit, por ne jemi anëtarë edhe të NATO-s, por ne jemi në të njëjtën kohë një vend i vetëdijshëm për përmasën e tij. Pra, na as nuk jemi superfuqi, as nuk e kemi kapacitetin të sillemi si superfuqi, por kemi fatin që të jemi në një aleancë me një superfuqi dhe për këtë arsye çdo gjë që bëjmë në Këshillin e Sigurimit e konsultojmë. Nga ana tjetër dua të njihem me këtë ide. Kam dëgjuar, kam mundur të lexoj nga mediat për këtë ide, por nuk e njoh në përmbajtje se çfarë ka parasysh presidenti kur thotë se Këshilli i Sigurimit duhet të merret me çështjen e veriut të Kosovës dhe sigurisht mbasi të njihem me këtë ide do të krijoj një opinion për këtë. Por, në të gjitha rastet qëndrimi ynë në Këshill të Sigurimit është plotësisht i harmonizuar me SHBA-në dhe vendet tjera aleate”.

Rama tha se shqetësimi i tij kryesor “në gjithë këtë fazë tensionesh është që ne të mos humbasim sensin e drejtimit dhe mbi të gjitha që tensionet në Veri të mos shihen si një ekskluzivitet i asnjërës nga palët e përfshira, por të shihen si një çështje që duhet trajtuar me të gjithë partnerët dhe aleatët dhe natyrisht me BE-në”.