Spahiu për Ramën: Ato që i ka bërë kundër Kosovës, kurrë hallall mos i qofshin

E publikuar: 05/07/2023 22:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Analisti Nexhmedin Spahiu, derisa ka folur për vizitën e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, që pritet të zhvillohet të enjten në Prishtinë, ka thënë që veprimet e tij kundër homologut të tij kosovar, Albin Kurti, “hallall i qofshin”, por jo edhe ato që i ka bërë kundër Kosovës.

“Për të gjitha ato që i ka bërë kundër Kurtit hallall i qofshin, a për ato që i ka bërë kundër Kosovës, kurrë hallall mos i qofshin”, ka thënë ai, teksa ka shtuar se pajtohet me qëndrimin e kryeministrit Kurti për ta refuzuar takimin me të.

I pajtimit është shprehur edhe aktivisti Rron Gjinovci, i cili ka thënë se Kurti “nuk ia jep mundësinë për takim Ramës sepse është spekulant”.

“Edi Rama po tenton të faktorizohet ndërkombëtarisht sepse nuk është fare faktor në arenën ndërkombëtare. Në kohën kur në Ballkan ka kaq shumë lëvizje, ai ka mbetur komplet në hije”, ka shtuar ai.

Se Rama po tenton të faktorizohet ka thënë edhe analisti Agim Sopi. Sipas tij, Rama nuk po vjen në Kosovë si përfaqësues i shtetit shqiptar, por si “baba i kombit”.

“Z.Rama nuk po vjen si përfaqësues i gjysmës së kombit, i shtetit shqiptar, por po vjen si njëlloj ndërmjetësuesi, si baba i kombit që po dëshiron të marrë primat, rolin e ndërmjetësuesit të zgjidhjeve të problemeve që ne i kemi krijuar dhe na i kanë krijuar të tjerët me Serbinë për problemet tona të brendshme”, ka thënë Sopi.

E të njëjtit mendim nuk është edhe kryeredaktorja e portalit “Periskopi”, Dafina Demaku. Sipas saj, vendimi i Kurtit për ta refuzuar takimin është i gabuar.

“Është e tmerrshme mos ta presësh kryeministrin Edi Rama. Çdo vizitë që bëhet këtu, duhet të bëhet për ta shtensionuar situatën”, është shprehur ajo.