Kreu i Qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama, ka propozuar një konferencë të nivelit të lartë për Kosovën dhe Serbinë, ku liderët e të dy shteteve s’do të lejoheshin të dilnin nga takimi pa një marrëveshje. Ky propozim i Ramës që ka gjetur edhe përkrahjen e kreut të Këshillit të Bashkimit Evropian, Charles Michel, ka ardhur pas tensioneve në veri të Kosovës dhe pas ngecjes së implementimit të marrëveshjes së Ohrit.
Por cili është qëndrimi i Qeverisë Federale të Gjermanisë së kancelarit Olaf Scholz për këtë propozim të kryeministrit Edi Rama.
Në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express, një zëdhënës i Qeverisë Gjermane ka thënë se nuk duan ta komentojnë propozimin e kryeministrit të Shqipërisë rreth konferencës.
Nga Zyra për Media e Qeverisë Gjermane për Express thonë se krahas kësaj, Berlini zyrtar bashkë me partnerë evropianë dhe emisarin sllovak Miroslav Lajcak, janë në komunikim konstant me të gjithë akterët e rëndësishëm për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës.
„Kërkojmë nga ju mirëkuptim që ne nuk komentojmë propozimin e kryeministrit shqiptar. Krahas kësaj, së bashku me partnerët tanë evropianë dhe Përfaqësuesin Special të BE-së, Lajčák, jemi në shkëmbim të vazhdueshëm me të gjithë akterët relevant për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës“, ka thënë për Gazetën Express një zëdhënës i Qeverisë Gjermane.
Qeveria Gjermane është një prej hisedareve kryesore në negociatat në mes të Kosovës dhe Serbisë. Propozimi i kancelarit Scholz bashkë presidentin francez, Emmanuel Macron është shndërruar në një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilën palët janë dakorduar në Ohër.
Gjermania si një prej shteteve më të fuqishme të BE-së ka qenë aktivisht e përfshirë në dialog edhe gjatë kohës së kancelares Angela Merkel , ku ishte organizuar edhe Samiti i Berlinit./Express