Në foto: Shefi i grupit ushtarak mercenar “Wagner”, Yevgeny Prigozhin
Tensionet kanë eskaluar në mes të Rusisë dhe grupit mercenar “Wagner” të premten në mbrëmje dhe në orët e para të së shtunës. Pas përplasjeve të fundit për goditjen e njëri-tjetrit, shefi i grupit ushtarak mercenar “Wagner”, Yevgeny Prigozhin, ka njoftuar se ky grup ia ka mësyrë për sulm Moskës.
Pas akuzave se Ministria Ruse e Mbrojtjes e ka mashtruar për luftën në Ukrainë, Prigozhin ka thënë se tashmë “Wagneri” ka hyrë në Rusi dhe ia ka mësyrë kryeqytetit.
“Forcat kufitare na kanë përqafuar rrugës për Rusi. Do të shkatërrojmë gjithçka rrugës”, ka thënë ai, raporton BBC.
Vetë Prigozhin, nëpërmjet Telegramit si gjithnjë, ka thënë se Rusia ka dhënë urdhër për sulme nëpërmejt ajrit ndaj mercenarëve të Wagnerit, por ai ka deklaruar se vetë pilotët rusë kanë refuzuar ta bëjnë këtë.
BBC e CNN kanë raportuar se nuk kanë arritur t’i konfirmojnë të gjitha pretendimet e Wagnerit për hyrje në Rusi.
Siç ka njoftuar mediumi shtetëror rus, TASS, në Moskë janë marrë tashmë masat e sigurisë. Rusia tashmë ka lëshuar urdhërarrest për kreun e “Wagnerit”. Për rastin është në dijeni edhe presidenti rus, Vladimir Putin. “Presidenti Putin është njoftuar për të gjitha ngjarjet rreth Prigozhinit. Masat e nevojshme po ndërmerren”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Siç raporton “The Guardian”, tashmë Moska është mbushur me automjete ushtarake të blinduara.
Siç raportojnë mediat ruse, transmeton BBC, në qytetin e Rostovit tashmë është aktivizuar “Operacioni Kalaja”, që nënkupton planin që i gjithë personeli të jetë “në gatishmëri të plotë”. Plani është aktivizuar edhe në Moskë. Të gjitha objektet e Kremlinit tani janë nën mbrojtje të shtuar.
Për situatën e re të shkaktuar në Rusi, është njoftuar edhe presidenti amerikan, Joe Biden. Për rastin ka dalë me deklaratë të shkurtër edhe Shtëpia e Bardhë. “Jemi duke monitoruar situatën dhe do të vazhdojmë konsultat me aleatët dhe partnerët mbi këto zhvillime”, ka thënë një zëdhënës i Këshillit Kombëtar të Sigurisë në SHBA.
Prigozhin ka qenë aleat i Putinit. Sivjet grupi i tij, “Wagner” është shpallur nga Perëndimi organizatë kriminale për shkak të aktiviteteve në Ukrainë, por edhe në Lindje të Mesme dhe në Afrikë. Si Prigozhin, ashtu edhe grupi janë të sanksionuar nga Perëndimi.
FSB calls on Wagner to ignore Prigozhin’s criminal orders and to assist in his apprehension. Multiple generals making videos calling on them to do the same
Armored vehicles are observed on the streets of Moscow pic.twitter.com/DB7yfcVzy2
— Dmitri Alperovitch (@DAlperovitch) June 23, 2023