Kancelari gjerman, Olaf Scholz, u bëri thirrje liderëve të NATO-s që gjatë takimit të tyre në Vilnius në korrik, të përqendrohen në rritjen e kapacitetit luftarak të Ukrainës gjatë kundërofensivës së Kievit ndaj forcave ruse.
Një çështje kyçe që duhet ngritur gjatë takimit të 11 dhe 12 korrikut do të jetë e ardhmja e raporteve mes Ukrainës dhe NATO-s, tha Scholz.
“Ne duhet ta shohim qartë situatën aktuale”, tha Scholz para ligjvënësve në Berlin, duke shtuar se Kievi “vetë ka thënë se anëtarësimi në NATO nuk është kërkesë përderisa Rusia vazhdon luftën e saj kundër Ukrainës”, shkruan REL.
“Prandaj unë po kërkoj që ne të fokusohemi në atë çfarë është tani prioriteti kryesor e që është forcimi i fuqisë luftuese të Ukrainës”.
Përveç kësaj, Scholz tha se Gjermania do të punojë me G7 dhe partnerët e Bashkimit Evropian, por edhe me Kievin për të arritur “te zotimet efektive dhe afatgjata të sigurisë”.
“Këto do të sigurojnë që Ukraina të marrë mbështetje të qëndrueshme ushtarake, por edhe fuqinë e nevojshme ekonomike për të mbrojtur veten nga agresioni rus”, tha kancelari gjerman.
Samiti në Vilnius, tha ai, do të dërgojë “një sinjal të fortë” për bashkëpunimin dhe vendosmërinë transatlantike.
Gjermania, përveç ndihmës ushtarake që i ka dhënë Ukrainës, ka rritur shpenzimet për ushtrinë e saj, për shkak se i duhet të zëvendësojë armët në stoqet e saj, pas donacioneve që i ka dhënë Kievit.