Presidentja Vjosa Osmani në fjalimin e saj para deputetëve në Parlamentin Evropian foli edhe për ngjarjet e fundit në vend. Ajo tha se për t’i kapërcyer këto sfida duhet partneritet e aleanca.
Ajo tha se vetë ekzistenca e BE-së dhe vlerat që ajo përfaqëson janë të pazëvendësueshme. Sipas saj, populli i Kosovës do vetëm paqe.
“Edhe pse vendi im përballet me sfida të vazhdueshme të sigurisë, jam i sigurt se e vetmja mënyrë për t’i kapërcyer ato është përmes partneriteteve dhe aleancave”.
“Por këto vlera në rajonin tonë, pa një perspektivë të qartë, rrezikojnë të zbehen. Mungesa e integrimit të vendeve demokratike të Ballkanit Perëndimor në BE përbën një kërcënim të madh sigurie për të gjithë Evropën, pasi që e lë rajonin të pambrojtur nga kërcënimet dhe aktorët keqdashës. Integrimi i rajonit tonë nuk është vetëm i një rëndësie të madhe, por është edhe i një rëndësie strategjike”.
“Dhe për aq sa na takon neve, mund të them me besim të plotë se njerëzit dhe institucionet e Kosovës duan paqe të bazuar në drejtësi dhe stabilitet. Paqe të qëndrueshme duke e pasë drejtësinë në themel të saj dhe stabilitet të përqendruar në respektim të sovranitetit, integritetit territorial dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore. Por sigurisht, në këtë proces, ne kemi nevojë për një lidership të fortë evropian – i cila dëshmohet kaq shpesh në këtë Parlament – në çdo institucion. Kjo do të kërkojë një udhërrëfyes proaktiv, të besueshëm dhe të drejtpërdrejtë drejt së ardhmes së rajonit tonë në familjen evropiane. Përparimi ynë në rrugëtimin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian do të shërbente si një katalizator për paqen dhe pajtimin në një rajon ku forcat keqdashëse, siç kanë bërë historikisht, vazhdojnë të mbjellin përçarje”.
Osmani tha se anëtarësimi i vendeve të Ballkanit në NATO tregoi që është sukses.
“Jam e sigurt se të gjithë do të pajtoheni se anëtarësimi i Sllovenisë dhe Kroacisë në BE vetëm sa e forcoi pozitën e BE-së, nuk e dobësoi atë. Anëtarësimi i Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi në NATO vetëm sa e forcoi paqen dhe stabilitetin rajonal, nuk e dobësoi atë. Unë e di se për shumë prej jush, siç e thotë një shprehje, unë tashmë po u predikoj të konvertuarve”.
“Por, Parlamenti Evropian, si organ vërtet demokratik i këtyre institucioneve, si mbrojtës i vullnetit të evropianëve në të gjithë këtë Union, jam e bindur se do të vazhdojë të ketë një rol jetik drejt nxitjes së integrimit tonë. Kosova nuk është një vend i largët. Është pjesë integrale e Evropës. Ballkani Perëndimor nuk është thjesht një “lagje”, është një pjesë e natyrshme e Evropës – dhe një interes strategjik për paqen dhe stabilitetin e qëndrueshëm në këtë kontinent. Kjo është arsyeja pse vitin e kaluar aplikuam për anëtarësim në BE dhe shpresojmë që institucionet dhe shtetet anëtare të BE-së do ta mbështesin aplikimin tonë”./EO/