Ekskluzive! Kurti refuzon BE-në, Vuçiç e gënjen/ Zbulohet raporti i Lajçak: Osmani më pranë kërkesave të BE

E publikuar: 13/06/2023 19:36
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për Ballkanin Miroslav Lajçak ka informuar anëtarët e Këshillit të Atlantikut Verior në Bruksel me krizën e Kosovës dhe bisedimet për zgjidhjen e saj.

Raportimi është mbajtur pasditen e kësaj të marte dhe burime diplomatike i bënë të ditur Top Channel se Lajçak e përkufizoi se situata në veri të Kosovës ka ndodhur e provokuar nga aksioni i papritur, i panevojshëm dhe pakoordinuar i qeverisë së Kosovës me KFOR.

Sipas Lajçak, Kurti ka dashur të përfitojë nga situata për të shtrirë kontrollin në veri. Ndërkohë dhuna ndaj ushtarëve të KFOR u bë nga elementë kriminalë serbë vendas dhe të ardhur nga Serbia.

Lajçak tregoi se ishte KFOR që e ndaloi përplasjen mes palëve. Pas kësaj ngjarje nisi edhe aksioni diplomatik.

Takimi i parë i Lajçak në bashkëpunim me diplomatët amerikanë ishte me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti të cilit ju kërkua të tërheqë policinë, kryetarët e komunave të punojnë përkohësisht në një lokacion tjetër dhe të shpallë zgjedhjet në katër komunat e veriut.

Kurtit ju kërkua të ulet në tavolinën e dialogut dhe të implementojë pikat e marrëveshjes së Ohrit. Por sipas Lajçak deri tani Kurti nuk ka pranuar asnjërën nga kërkesat.

Të hënën shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian Josep Borrell ka patur një telefonatë të gjatë me Kurtin dhe ky i fundit përsëri ka refuzuar të plotësojë këto pika.

Madje raporton Lajçak pas bisedës, Kurti i ka shkruajtur një letër Borrell-it ku i jep shpjegime përse këto pika nuk mund të plotësohen tani.

Ndërkohë presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka dhënë shenja se është më afër kërkesave të Bashkimit Europian, veçanërisht për organizimin e zgjedhjeve të reja në veri.

Nga pala serbe kërkesat ju paraqitën Presidentit Vuçiç. Atij ju kërkua të ulë nivelin e alarmit të ushtrisë, të bindë serbët të marrin pjesë në zgjedhjet e reja lokale dhe të tërheqë protestuesit serbë nga godinat e komunave. Gjithashtu, serbët duhet të ulen në tryezën e dialogut dhe të plotësojnë pikat e marrëveshjes së arritur në Ohër.

Të hënën ka qenë afati i fundit për plotësimin e tre kërkesave të para por Vuçiç nuk e ka mbajtur premtimin.

Këtë të martë Lajçak takon Borrell për të folur për masat që do të ndërmerren ndaj palëve që të deskalojnë situatën.

Në bashkëpunim me partnerët amerikanë, Bashkimi Europian do të ndërmarrë masa konkrete ndaj të dyja palëve. Pasi të shohin reagimin e palëve BE dhe SHBA do të kërkojnë një takim të nivelit të lartë Vuçiç-Kurti në Bruksel.

Ndërkohë që Lajçak ka treguar se deri më tani janë 16 propozim drafte për Asosacionin e Komunave Serbe.

Drafti i paraqitur nga kryeministri Rama është cilësuar shumë i mirë sepse jep garanci për të drejtat e pakicës serbe në veri, që në të ardhmen Asosacioni të mos dalë jashtë kontrollit dhe të ruhet integriteti territorial i Kosovës. Ky draft ndalon krijimin e një Asosacioni monstër./tch