Stano: Kosova e Serbia ende kanë pikëpamje të ndryshme, shtetet e BE-së po konsultohen për hapat e tjerë

E publikuar: 13/06/2023 17:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano raportohet se ka deklaruar që pas vizitës së javës së kaluar të emisarit evropian, Miroslav Lajçak në Prishtinë e Beograd, u konfirmua se të dyja palët ende kanë pikëpamje të ndryshme në shumë çështje.

Agjencia serbe e lajmeve “Beta”, raporton se Stano në një deklaratë për ta, ka deklaruar se diskutimt ishin shumë të vështira, gjatë vizitës së Lajçak e Escobar, sidomos në Prishtinë.

Ai po ashtu thuhet se ka deklaruar që përfaqësuesi i Lartë është informuar për bisedimet, dhe se tani shtetet anëtare të BE-së janë duke u informuar dhe se po vijojnë konsultimet për hapat e ardhshëm.

Vlen të theksohet se kryeministri Albin Kurti sot ka bërë të ditur se ka propozuar një plan me pesë pika për deeskalimin e situatës në veri, çështje të cilën BE-ja se ka komentuar ende.

Çfarë propozimi ka dhënë Kurti?

Hapi 1: Sundim i ligjit në 4 komunat në veri të Kosovës. Situata nuk është normale për një kohë të gjatë, por eskalimi më 29 maj e bën urgjent sjelljen para drejtësisë të të gjithë atyre që ushtruan dhunë ndaj ushtarëve të KFOR-it, gazetarëve e Policisë së Kosovës. Identifikimi, ndjekjen penale të të gjitha grupeve që kanë sulmuar KFOR-in, Policinë dhe gazetarët. EULEX-i të monitorojë situatën.

Hapi 2: Grupet e dhunshme tërhiqen nga Kosova. Bazuar në parimin e proporcionalitetit Policia e Kosovës do të tërhiqet nga objektet e komunave në veri.

Hapi 3: Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR-i do të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë çdo 15 ditë.

Hapi 4: Qeveria e Kosovës koordinohet dhe shpallë zgjedhje të parakohshme në 4 komunat në veri. Zgjedhjet të organizohen në një atmosferë zgjedhje të lirë, liberale.

Hapi 5: Kosova dhe Serbia kthehen në dialog, dhe Brukseli harton një plan për zbatimin e marrëveshjeve. Udhëheqësit takohen në Bruksel gjatë kësaj jave.