Ndërmjetësuesi në dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka shprehur zhgënjimin e tij me rezultatet e takimeve që pati në Prishtinë e Beograd.
Ai këtë të hënë ka përsëritur kërkesën për shtensionim të situatës dhe zgjedhje të shpejta në Veri të Kosovës, pasi sipas tij tensioni mbetet i lartë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentja, Vjosa Osmani nuk kanë komentuar çështjen.
Megjithatë, njohësit këto insistimin e Qeverisë e shohin si të palogjikshëm dhe kërkon që qeveria të jetë e vëmendshme.
“Nuk duhet ta sjellim vendin në atë pozitë sikur me targat, kur në fund t’i zbatojmë të gjitha kërkesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, sepse në fund po prishen marrëdhëniet me SHBA-në.“- shprehet Dritëro Arifi, njohës i çështjeve politike.
Tutje Arifi shton se kreu i qeverisë së Kosovës nuk e sheh më të arsyeshme të zbatojë aneksin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve që e ka nënshkruar vetë në Ohër.
“Këto janë gabime të Qeverisë, e ka pranuar marrëveshjen e Ohrit por nuk po dëshiron ta zbatojë sepse e ka kuptuar që pa marrëveshje finale nuk ka zgjidhje përfundimtare.”- shton Dritëro Arifi.
Protestat pranë objekteve komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin – Potok kanë hyrë në javën e tretë dhe kërkesat e serbëve janë largimi i policisë dhe themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe./tch