Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka komentuar draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serb të propozuar nga kryeministrit i Shqipërisë, Edi Rama, të cilin ua ka prezantuar presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.
Duke komentuar draftin e Ramës, Bisilmi në një intervistë “Al Jazeera” ka thënë se “nuk janë negociata mes shqiptarëve edhe serbëve, vetëm Kosova mund të negociojë.
Gjithashtu, Bislimi ka ritheksuar se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk ka për qëllim integrimin e serbëve të Kosovës, “por për të shërbyer si kali i Trojës së Beogradit për ta bërë Kosovën jo funksionale”.
“Ky nuk është interpretimi apo përfundimi im, këto janë kryesisht konkluzionet e akademikëve në Serbi”, ka thënë Bislimi.
Ndryshe më herët, Rama përmes një postimi në Twitter ka thënë se “ata që shajnë e akuzojnë pa e ditur fare çka përmban draft-statuti i Asociacionit kanë frikë vetëm nga një gjë”.
“Ata që shajnë e akuzojnë pa e ditur fare çka përmban draft-Statuti i Asociacionit kanë frikë vetëm nga një gjë: Se mos humbasin armikun që u krijon kushtin ekzistencial që të flasin dhe të sillen si në llogore, ndërkohë që lufta ka mbaruar në 1999 dhe armiku është mundur!”, ka shkruar Rama.