Kurti pret në takim Kadarenë, diskutojnë për historinë dhe letërsinë shqipe

E publikuar: 06/06/2023 23:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me shkrimtarin e madh shqiptar e botëror, Ismail Kadare. Në këtë takim, Kurti dhe Kadare, kanë diskutuar për letërsinë, historinë dhe kulturën e popullit shqiptar.

Sipas njoftimit, Kurti ka theksuar se brezave të rinj duhet t’i mësohet më shumë historinë përmes letërsisë së shkritmarit Ismail Kadare.

“Duke rikthyer të kaluarën për botën e librave, kryeministri Kurti gjatë bashkëbisedimit i kujtoi Kadaresë se si librat e tij kanë qenë kriter për t’u lexuar nga nxënësit, duke përmendur kështu veprat e famshme “Princesha Argjiro”, “Kështjella”, “Ura me tri harqe” dhe “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Ai shprehu se pikërisht këto vëllime kanë qenë motivi i cili ka nxitur leximin e gjitha veprave të Kadaresë”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.

“Për shkak se kjo krijimtari e Kadaresë vë në pah historinë kombëtare shqiptare nga një kënd tjetër, atë më njerëzor dhe shpirtëror, sipas kryeministrit është arsyeja që e bën një art aq të bukur të tregimit dhe inkurajim për të lexuar tregimin e historisë. Rrjedhimisht, ai ritheksoi se brezave të rinj duhet të ua mësojmë më shumë historinë nëpërmjet letërsisë së Kadaresë, pasi që ajo është e pazëvendësueshme dhe thelbësore”, vijon njoftimi.

Në anën tjetër, sipas njoftimit shkrimtari Ismail Kadare vlerësoi fjalët e kryeministrit, duke potencuar se puna dhe krijimtaria për kombet është ndër detyrimet morale e universale. Ndërkaq, Shqipërinë ai e renditi ndër vendet e para në zonën e Evropës që ka botuar letërsi, siç janë librat historik e kombëtar në gjuhën shqipe.

Tutje, për kulturën shqiptare Kadare shtoi se përveç se është shërbim për vet popullin shqiptar, ka një rol të veçantë edhe në shërbimin ndaj gjithë zonës evropiane, që e gjen rifillimin dhe frymëzimin në kohën e Dantes. Me anë të artit letrar, ai tha se lexuesve, bashkohësve tanë, duhet t’u përçojmë të vërtetën pasi që kjo vlerë na duhet shumë dhe është e çmuar për njerëzimin.