“Zagar i Vuçiqit”, kështu quhej gazetari Bekim Kabashi, në disa fotomontazhe cak i të cilave ishte ai dhe gazetarët Lavdim Hamidi e Berat Buzhala, shkruan Gazeta Infokus.
Lidhur me këtë fushatë kundër tij, gazetari Kabashi ka folur në “Podcast me Shkelzen Dakaj”, i cili tha se këto sulme ndaj gazetarëve bëhen me qëllim që të dëmtohet kredibiliteti i tyre dhe të krijohet mosbesim tek opinion publik.
“Është bërë e pamundshme me luftu si dukuri sepse nuk është që nuk na dëmton, bile ato fushata, ai mund që e marrin ata njerëz bëhet me atë qëllim me na dëmtu, e para me dëmtu kredibilitetin, me kriju mosbesim te opinioni për ato që i thu se sigurisht i pengojnë opinionet mendimet e tua dhe mendoj që ato kanë ndikim”, ka deklaruar Kabashi.
Sipas tij, partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje është më e organizuara në këtë pjesë, e që sipas tij me këto fushata i behët dëm edhe shoqërisë e shtetit.
“LVV është grupi parlamentar më i organizuar në këtë pjesë, që nxjerrë këtë formë të intimidimit të njerëzve, kryesisht përmes rrjeteve sociale, sepse është forma më e lehtë me depërtu te secili njeri përmes smartfonave”, ka thënë Kabashi.
Ndërkaq, lidhur me fotomontazhet të cilat po qarkullojnë në rrjete sociale, gazetari Kabashi beson se janë bërë nga grupe të tilla të organizuara dhe të përgatitura në atë mënyrë që të jetë sa më e thjeshtë që të merret ai mesazh i përçuar nga kjo fushatë kundër tij dhe gazetarëve të tjerë.
E sipas gazetarit Shkelzen Dakaj, qeveria aktuale në krye me Albin Kurtin, ka dështuar që të jetë bashkëpunuese me mediat dhe nuk ka qenë transparente.
Mirëpo, ai thotë se ka pasur shumë raste kur gazetarët dhe opinionistët përveç se e kanë kritikuar, ata edhe e kanë mbështetur po të njëjtin pushtet për veprime të cilat kanë qenë të mira.
“Një gazetar, një njeri i cili është i këtij profesioni din me bo edhe kritiken, por din me ja dhënë edhe vlerësimin”, ka thënë Dakaj.
Kujtojmë se para disa ditësh në rrjete sociale ka filluar një fushatë me fotografi të montuara kundër gazetarëve, Bekim Kabashi, Lavdim Hamidi dhe Berat Buzhala.
Në këto fotomontazhe Kabashi dhe Hamidi janë quajtur “zagarë të Vuçiqit”.
Ndërsa, tek rasti i Buzhalës është montuar një fotografi kinse presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka ripostuar në Twitter një cicërimë të gazetarit, duke thënë se ai është njëri nga gazetarët më të mirë kosovar. Mirëpo, në realitet një postimi i tillë është bërë nga ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Richard Grenell.
Këtë fushatë e ka cilësuar si të rrezikshme edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, i cili përmes një reagimi bëri thirrje që fushatat e tilla denigruese të ndalen./Gazeta Infokus/
Ndiqeni intervistën e plotë: