Petkoviq e quan Kurtin “Hitler”: Flamujt e tij do të përfundojnë në koshin e plehrave të historisë, të ndalet

E publikuar: 28/05/2023 12:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryenegociatori serb në dialogun me Kosovën, Petar Petkoviq e ka quajtur “pushtim” hyrjen në objektet e komunave të premtën të katër kryetarëve të zgjedhur në veri.

Petkoviq paralajmëroi një “të keqe që po vjen”, ndërsa e quajti “leckë” flamurin e Kosovës, duke thënë se do t’i hedhin “në koshin e plehrave të historisë” të gjithë flamujt e vendosur në objektet komunale.

Duke komentuar flamujt e Kosovës që po valojnë para hyrjeve të të gjitha komunave në veri të Kosovës, Petkoviq tha se për Beogradin nuk ka “lecka me të cilat Prishtina kapardiset”.

“Do t’ia kujtoj Kurtit se në njëqind vitet e kaluara në Kosovë janë spikatur flamuj të ndryshëm pushtues, përfshirë atë të Italisë së Musolinit dhe flamurin e Rajhut të Tretë të Hitlerit, por se populli liridashës serb i vendosi të gjithë ata flamuj aty ku i takojnë – në koshin e plehrave të historisë. Kështu do të jetë edhe me flamujt pushtues të Kurtit”, ka thënë Petkoviq.

Petkoviq e ka quajtur “Hitler të vogël” kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndërsa tha se shpreson që ai të ndëshkohet.

“Shpresojmë që Hitler i vogël Kurti të frenohet dhe të ndëshkohet nga mentorët e tij të huaj para se gjërat të shkojnë shumë larg”, tha ai.