Kurti flet me emisarin britanik: “Do të punoj me aleatët për ta implementuar shpejt marrëveshjen bazike”

E publikuar: 27/05/2023 17:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri Albin Kurti sot ka zhvilluar një bisedë telefonike me emisarin britanik për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach, pas ngjarjeve që ndodhen dje në veri të vendit.

Ai tha se do të punojë me shtetet aleate për ta zbatuar Marrëveshjen Bazë, derisa tha se emisarit britanik ia ka treguar edhe qëllimet e Qeverisë së tij në veri

“Pata një telefonatë me Lordin Stuart Peach për zhvillimet më të fundit. Theksova se qëllimi i vetëm i Qeverisë sonë është të sigurojë qasje në zyrat për kryetarët e zgjedhur të komunave dhe shpreh angazhimin tim për të punuar me Mbretërinë e Bashkuar dhe aleatët e QUINT-it për zbatimin e menjëhershëm të Marrëveshjes Bazë”, ka shkruar Kurti.

Kurti sot e priti edhe emisarin gjerman, Manuel Sarrazin, të cilit i tha se shkuarja në zyrat e tyre të kryetarëve të rinj të komunave veriore duhet të trajtohet si një gjë normale.