KFOR ka njoftuar se është duke e monitoruar nga afër situatën në Veriun e Kosovës.
Në një përgjigje për Gazetën Express, KFOR’i e cilëson si të dhunshme hyrjen e kryetarëve në komunat veriore.
Sipas KFOR’it një situatë e tillë rrezikon përshakllëzim të mëtejmë të situatës.
”KFOR-i është duke monitoruar nga afër situatën në Komunat në veri të Kosovës ku janë shkaktuar një sërë përplasjesh nga hyrja e dhunshme e kryetarëve të sapozgjedhur në ndërtesat e komunave. Kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme për procesin e normalizimit dhe rrezikon përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve. KFOR-i dënon me vendosmëri këto akte të njëanshme dhe u bën thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga dhuna që mund të kërcënojë sigurinë në Kosovë”, thuhet në përgjigje.
Më pas, KFOR kërkon që gjithë akterët e përfshirë të koordinohen.
”Koordinimi midis të gjithë aktorëve është thelbësor për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm. Prioriteti i parë i KFOR-it mbetet sigurimi i një mjedisi të sigurt, në përputhje me mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Dialogu dhe diplomacia janë e vetmja rrugë drejt paqes dhe sigurisë së qëndrueshme në Kosovë”, mbaron përgjigja.
Gjatë tërë ditës në Veriun e Kosovës ka pasur tensione.