Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, deklaroi se ata si spektër politik po edhe siç tha, qytetarët e Kosovës, definitivisht janë pajtuar se institucioni ku udhëheq ministrja Hajdari quhet ministri, por që sipas tij, emrin e vërtetë e ka “ministria e paaftësisë”.
“Një ministri e dështuar në palcë e cila nuk qe në gjendje një punë të hajrit me ia sjellë Kosovës qe tre vjet”, deklaroi ai gjatë fjalimit në foltoren e Kuvendit të Kosovës.
“Ne si AAK vlerësojmë që është mëkat politik e shoqëror që një ministri bazë e shtetit me të gjithë ato potenciale që i ka, duke e ditur gjendjen e dobët sociale të qytetarëve, duke e ditur krizën ekonomike që e ka përcjellë secilën familje, biznes e ndërmarrje, nuk keni qenë në gjendje të merrni vendime e të zbutni sadopak krizën që e ka kapluar Kosovën këto dy-tre vjet”
“Do të mbaheni në mend që ishit kampion të dështimit pa asnjë investitor strategjik nga brenda dhe nga jashtë vendit”, u shpreh mes tjerash deputeti Lekaj.