Kryeministri Albin Kurti në fjalën hyrëse në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka folur për zgjedhjet e fundit në katër komunat veriore dhe betimin e kryetarëve të rinj.
Ai tha se nesër në ndërtesat publike të këtyre komunave do të bëhet edhe betimi i kryetarëve të rinj që kanë mbetur ka e kryer këtë procedurë.
“Nesër në ndërtesa publike në këto komuna do të mbahen seancat konstituive dhe betimi i kryetarëve të rinj të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit”, tha Kurti, raporton Express.
Ai tha se kjo nuk është zgjedhje, por obligim i tyre dhe se është normale pas një procesi zgjedhor.
“Dje u bë një muaj prej mbajtjes së zgjedhjes në katër komunat veriore. Nuk pati asnjë incident, ishin të qeta dhe paqësore. Frikësimet, linçimet dhe trysnia e shantazhi nga Beogradi zyrtar ndikoi drejtpërdrejt në daljen e ulët të qytetarëve tonë serbë në këto zgjedhje. Vota e munguar ishte mungesë e vullnetit të lirë, jo shprehje e vullnetit politik. Fushatat e tilla kërcënuese të Beogradit zyrtar ndaj serbëve lokalë, veçanërisht në katër komunat tona në veri të vendit janë të shpeshta dhe të vazhdueshme. Por, veç pse diçka që ndodh shpesh dhe vazhdimisht nuk do të thotë që është normale dhe e pranueshme”.
Kurti përmendin edhe betimin e Erden Atiq si kryetar i Mitrovicës së Veriut të premten e kaluar.
“Kjo është normale pas një procesi zgjedhor”, tha Kurti, duke shtuar se edhe emërimi i nënkryetares nga komuniteti serb është normale për këtë komunë.
“Dje u emëruan katër drejtorë: një serb, një boshnjak, një egjiptian dhe një shqiptar, prej tyre dy gra. E ky është progres që duhet normalizuar”.
Kurti tha se ndërmarrja e veprimeve është e nevojshme meqë qytetarët janë pa shërbime publike që kur dhanë dorëheqje kryetarët e këtyre komunave.
“Kanë kaluar mbi 6 muaj kur këto komuna mbetën pa kryetarë. Dy prej tyre edhe pa kuvende e banorët atje pa shërbime komunale. Kjo nuk është normale. Veprimet tona kanë qenë për funksionalizimin demokratik të institucioneve shtetërore dhe garantimin e shërbimeve publike për qytetarët pa dallim. Ky nuk është zgjedhje, është obligim i yni”.
“Veprimet tona kanë në qendër funksionalizimin demokratik të institucioneve shtetërore dhe garantimin e shërbimeve publike për të gjithë qytetarëve pa dallim. Kjo nuk është zgjedhje. Ky është obligim i yni. Këtë angazhohemi ta bëjmë duke mbrojtur të drejtat e njeriut, liritë civile, sundimin e ligjit, pluralizmin politik, paqen dhe sigurinë në vend. Sepse, të gjitha këto janë normale në demokraci dhe në republikë”.