Kurti në ushtrimet “Defender Europe ’23”: Përgatitja për t’u përballur me kërcënimet është e domosdoshme

E publikuar: 21/05/2023 12:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se “Defender Europe ’23”, është ngjarja më e madhe ushtarake që ka ndodhur ndonjëherë në Kosovë, teksa thotë se janë të nderuar. Në ceremoninë e hapjes së ushtrimit më të madh ndërkombëtar ushtarak në rajonin e Ballkanit “Defender Europe ’23”, shefi i Qeverisë tha se ky ushtrim po bëhet 15 muaj pas pushtimit rus në Ukrainë, prandaj sipas tij përgatitja për t’u përballur me kërcënimet dhe ato të paparashikueshme është e domosdoshme.

“Sot në sheshin që mban emrin e heroit kombëtar ‘Skenderbeu’, po shënojmë fillimin e ushtrimit të udhëhequr nga aleatët tanë SHBA. Pa dyshim që ‘Defender Europe ’23’, është ngjarja më e madhe që ka ndodhur ndonjëherë në Kosovë. Kosova është e nderuar që për herë të dytë po e zhvillon këtë stërvitje. Forca e Sigurisë së Kosovës në këtë ushtrim radhitet e katërta në mesin e 23 ushtrive të angazhuara në këtë stërvitje. Siguria e kontinentit është interesi jetik i yni, që beson në atë që e don, në paqen dhe sigurinë”, tha Kurti.

“‘Defender Europe ’22’, ishte më pak se një vit që kur Rusia të shfaqte synimet e saja brutale për t’u shtrirë në Evropë, ndërsa sot po mbahet 15 muaj pas pushtimit rus në Ukrainë, prandaj përgatitja për t’u përballur me kërcënimet dhe ato të paparashikueshme është e domosdoshme”, tha tutje Kurti.

Në stërvitjen e sivjetme do të marrin pjesë pesë ushtri të ndryshme të NATO-s që do të stërviten në pjesë të Kosovës deri më 2 qershor dhe do të shoqërohen nga pesë oficerë të lartë të ushtrisë amerikane.

Për dallim nga vitet e kaluara, këtë vit Kosova do ta ketë trefishin e numrit të ushtarëve që do të marrin pjesë në stërvitjet e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pjesë e kësaj ngjarjeje do të jetë edhe ekspozimi i pajisjeve të FSK-së, që do të bëhet në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet./eo