Osmani: “Defender Europe ’23” është simbol për ta ruajtur paqen nga një botë që po sfidohet për çdo ditë

E publikuar: 21/05/2023 12:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka quajtur ushtrimin ndërkombëtar ushtarak “Defender Europe ’23”, simbol për ta ruajtur paqen nga një botë që po sfidohet për çdo ditë.

Në ceremoninë e hapjes së ushtrimit më të madh ndërkombëtar ushtarak në rajonin e Ballkanit “Defender Europe ’23”, presidentja Osmani u shpreh se ka një mjedis shumë të ndjeshëm të sigurisë, ku sfidat dhe kërcënimet po bëhet gjithnjë e më komplekse, andaj sipas saj, rëndësia e bashkëpunimit me aleatët në fushën e mbrojtjes është e domosdoshme dhe ekzistenciale.

Ajo më tej ka thënë se ky ushtrim tregon që forca e vendit nuk qëndron vetëm te fuqitë e armëve, por në lidhjet dhe aleancat që ndërton.

“Në këtë stërvitje ndërkombëtare ju jeni krahas ushtrive nga kombe të ndryshme dhe shtete të ndryshme megjithatë ju qëndroni të bashkuar në një kauzë të vetme. Kauzës së përbashkët për ta forcuar bashkëpunimin, për ta ndërtuar besimin dhe për ta rritur ndërveprimin midis forcave aleate. Jeni mishërimi i punës në grup duke kapërcyer kufijtë dhe duke punuar së bashku drejt një qëllimi të përbashkët: sigurisë dhe mbrojtjes së vlerave tona. Ky ushtrim ndërkombëtar është një simbol i vendosmërisë sonë kolektive për ta ruajtur paqen dhe stabilitetin në një botë që po sfidohet vazhdimisht. Është kujtesë që forca jonë nuk qëndron vetëm në fuqitë e armëve tona por në lidhjet që krijojmë, në aleancat që ndërtojmë dhe në vlerat e përbashkëta që çdo ditë po i kultivojmë”, ka thënë ajo.

Duke përmendur që qëllimi kryesor i këtij ushtrimi është që t’ bëhet me dije agresorëve të mundshëm që kontinenti është i sigurt nga sulmet e mundshme, Osmani ka thënë se ky ushtrim është historik veçanërisht për FSK-në, si ushtria më e re në Evropë.

“Objektivi kryesor i ‘Defender 2023’ është ta shfaqë aftësinë ushtarake dhe luftarake të SHBA-së dhe forcave aleate kundër agresorëve të mundshëm dhe për t’i siguruar aleatët dhe partnerët evropianë që kontinenti është i sigurt nga sulmet e mundshme. Ky ushtrim është historik në shumë aspekte, veçanërisht për ushtrinë më të re në kontinentin evropian, për Forcën tonë të Sigurisë. ‘Defender 2023’ përkon edhe me 24-vjetorin e çlirimit tonë që është ditë po aq e freskët sa kujtesa e ndërhyrjes ushtarake të SHBA-së me forcat e vendeve tjera aleate të NATO-s kundër gjenocidit të Millosheviqit ndaj popullit të Kosovës. Ne ishim viktima e regjimi i Millosheviqit ishte agresori e lufta jonë ishte luftë për liri, kjo është e vërteta e vetme që do ta mbrojmë çdo herë e kudo. Prandaj sot teksa i shohim shtarët e FSK-së të radhitur në këtë shesh, dua të sjellë në vëmendjen e secilit edhe sakrificën e paraardhësve të tyre, vajzave e djemve të UÇK-së që e bënë të mundshme lirinë tonë, mbrojtën dhe rikthyen dinjitetin tonë. Ata janë mishërimi i vetëmohimit, sakrificës dhe guximit”, ka thënë ajo.

Në stërvitjen e sivjetme do të marrin pjesë pesë ushtri të ndryshme të NATO-s që do të stërviten në pjesë të Kosovës deri më 2 qershor dhe do të shoqërohen nga pesë oficerë të lartë të ushtrisë amerikane.

Për dallim nga vitet e kaluara, këtë vit Kosova do ta ketë trefishin e numrit të ushtarëve që do të marrin pjesë në stërvitjet e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pjesë e kësaj ngjarjeje do të jetë edhe ekspozimi i pajisjeve të FSK-së, që do të bëhet në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytet.