Mehaj publikon sondazhet: FSK-ja shënon rritje të besueshmërisë së qytetarëve

E publikuar: 18/05/2023 14:48
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, përmes një postimi në Facebook ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës ka shënuar rritje të besueshmërisë së qytetarëve.

Ai u është referuar sondazheve, sipas të cilave, FSK-ja është organizata me nivelin më të lartë të besueshmërisë nga ana e qytetarëve të Kosovës.

“FSK shënon rritje të besueshmërisë së qytetarëve. Sipas sondazheve të publikuara nga Qendra për Perceptime në Hulumtime të Insitutit Republikan Ndërkombëtar (IRI), Forca e Sigurisë së Kosovës është organizata me nivelin më të lartë të besueshmërisë nga ana e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, shkroi Mehaj.

Ai është shprehur se FSK-ja perceptohet nga ana e qytetarëve si organizatë që, siç tha ai, i përmbush në plotni mision e saj kushtetues.

“Ky hulumtim vë në pah se 73% e shtetasve tanë besojnë në institucionin e sigurisë, që shënon një rritje prej 7% në raport me sondazhet e vitit 2021. Pra, Forca e Sigurisë së Kosovës perceptohet edhe nga ana e qytetarëve si organizatë që përmbush në plotni mision e saj kushtetues në garantimin e sigurisë së qytetarëve dhe mbrojtjen territoriale”, ka shkruar tutje Mehaj.