Ministria e Shëndetësisë ia ka dhënë një tender për SISH kompanisë “PBC” në vlerë mbi 1 milionë Euro, ndërsa një grup operatorësh ofertuan me çmim gati gjysmë milioni euro më lirë. MSH e ka arsyetuar këtë me raportin e Komisionit të Vlerësimit sipas të cilit operatorët më të lirë nuk i kanë plotësuar disa prej kritereve.
Ministria e Shëndetësisë ka hapur një tender në shkurt të këtij viti me titull “Mirëmbajtja dhe avancimi i sistemit BHIS” për Sistemin Informativ Shëndetësor me vlerë të parashikuar 1 milion e 80 mijë Euro.
Tenderi iu dha kompanisë që ofertoi me shumën më të lartë, konkretisht operatorit “PBC SHPK” me ofertë mbi 1 milion e 64 mijë Euro. Në këtë procedurë kishte edhe tre ofertues të tjerë më të lirë, “Oni SHPK” me mbi 870 mijë Euro, grupi i operatorëve “Tech Vision SHPK” dhe “Edgecase Soluti” me 822 mijë Euro dhe grupi i operatorëve “Botek SHPK”; “Edusoft”; “Teched Consulting” me ofertën më të lirë 533 mijë Euro.
Kjo e fundit ka ushtruar edhe ankesë për rishqyrtim në Ministrinë e Shëndetësisë, por ankesa është refuzuar.
MSH në një përgjigje për Gazetën Shneta ka deklaruar se tri ofertat më të lira janë shpallur të papërgjegjshme për arsye se nuk i kanë plotësuar kriteret e tenderit.
“Tri ofertat me te lira janë shpallur te papërgjegjshme për arsye se nuk i kanë plotësuar kriteret e tenderit si dhe ofertat e tyre teknike nuk i kanë plotësuar kërkesat e MSH-se te specifikuara ne Dosje te tenderit. Oferta ONI SH.P.K. dhe oferta Grup i Operatorëve Ekonomik TECH VISION SH.P.K.; EDGECASE SOLUTI janë pajtuar me eliminimin dhe nuk kane parashtruar ankese, ndërsa oferta Botek Shpk është ankuar dhe pas shqyrtimit te pretendimeve ankimore, ankesa i është refuzuar si e pabazuar, me arsyetimet e detajuara te dhëna ne Vendimin e Rishqyrtimit (dok. i dyte i bashkangjitur)”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Sipas raportit të Komisionit të Vlerësimit, grupi i operatorëve “Botek SHPK”; “Edusoft”; “Teched Consulting” megjithëse ka ofertën gjysmë milioni euro më lirë, nuk ka ofruar referenca për kërkesën që operatori të ketë përvojë në zhvillimin dhe implementimin e të paktën një projekti për “Health Information System”, poashtu nuk është përmbushur kërkesa që OE të ketë përvojë në zbatimin e së paku dy sistemeve të raportimit në një organizatë me mbi 100 punonjës.
Poashtu nuk ka pasur menaxher projekti të diplomuar në shkenca kompjuterike ose inxhinieri softuerike, si dhe kanë munguar disa dëshmi në rastin e kualifikimeve të ekspertëve për trajnime dhe ekspertë të kontrollit të cilësisë.
Por të gjitha këto i kanë hedhur poshtë grupi i operatorëve ekonomik të cilët pretendojnë se iu është bërë e padrejtë. Në ankesën e tyre thonë se kanë dorëzuar referencë për një projekt në kuadër të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore i cili lidhet ngushtë me SISH-in. Poashtu kanë deklaruar se kanë dorëzuar dëshmi që të gjithë anëtarët e konsorciumit kanë përvojë në zhvillimin e sistemeve të raportimit me mbi 100 punonjës.
Sipas grupit të operatorëve poashtu kanë dorëzuar edhe dëshmitë tjera mbi kualifikimet e menaxherit të projektit si dhe ekspertëve tjerë sipas kërkesave në dosjen e tenderit.
Megjithatë ankesa e tyre është refuzuar nga MSH dhe ka mbetur në fuqi vendimi për dhënien e kontratës për operatorin “PBC”.