Misioni i KFOR-it në Kosovë përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se ia ka aprovuar kërkesën Agjencisë Kosovare të Pyjeve për fluturimin e avionëve privat nga 15 maji, të cilët do të realizojnë fluturime të ulëta me qëllim të vaksinimit të dhelprave kundër tërbimit përmes përdorimit të kurtheve, shkruan Gazeta Express.
Në këtë komunikatë KFOR-it ka sqaruar se komandanti i KFOR-it është autoriteti primar për hapësirën ajrore të Kosovës, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, raporton Express.
Gjithashtu theksojnë se hapësira e lartë ajrore e Kosovës mund të përdoret për të fluturuar mbi Kosovën nga një vend në një tjetër nga aeroplanët që realizojnë fluturime komerciale.
Ndërkohë KFOR potencon se hapësira e ulët ajrore mund të përdoret për nevoja specifike, rast pas rasti dhe nën autorizimin paraprak të komandantit të KFOR-it.
Këto sqarime nga KFOR-i lidhur me shfrytëzimin e hapësirës ajrore të Kosovës vijnë në një kohë kur Republika e Kosovës ka bërë blerjen e pesë dronëve nga Turqia të tipit “Bayraktar”./GazetaExpress