Bedri Halimi shpallet i pafajshëm, Apeli vërteton aktgjykimin e Themelores

E publikuar: 04/05/2023 14:00
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe e ka shpallur të pafajshëm nga akuzat për korrupsion në rastin ‘Prevalla’, ish-kryeinspektorin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Bedri Halimi.

Lajmin e ka bërë të ditur vet Halimi përmes një postimi në Facebook.

“Gjykata e Apelit, e ka vërtetuar Aktgjykimin e shkallës së parë, të Gjykatës Speciale, për pafajsinë time, në rastin e Prevallës”, ka shkruar Halimi.

Halimi në nëntor të vitit të kaluar ishte shpallur i pafajshëm nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të ngritur më 18 nëntor 2019, Bedri Halimi duke punuar si kryeinspektor i Inspektoratit të Ministrisë se Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), kompetent për inspektimin e punimeve ndërtimore në Parkun Nacional “Sharri” në Prevallë, me dashje nuk i ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me vendimin e ministrit të MMPH-së Nr.34/13 të datës 15 nëntor 2013, me të cilin urdhërohet rrënimi i objekteve pa leje brenda Planit Rregullues Urban në Parkun Nacional, në atë mënyrë që edhe pse e ka hartuar planin për zbatimin e urdhëresës në 4 faza, atë nuk e ka përmbushur.

Sipas aktakuzës, në fazën e parë ishin rrënuar 180 objekte, në fazën e dytë nga 28 vendime për rrënim, janë zbatuar vetëm 20, duke mbetur edhe 8 vendime të pazbatuara.

Sipas prokurorisë, në fazën e tretë nga 45 vendime për rrënim, 16 ishin revokuar, ndërsa 29 vendime kanë mbetur të pazbatuara, kurse faza e katërt fare nuk ishte implementuar, ashtu që nga 14 dhjetorit 2013 e deri tash nuk ka zbatuar as një prej vendimeve edhe pse të njëjtat janë ende në fuqi.