Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë me dije se s’do të votojë për asnjë pikë të rendit të ditës, derisa Ministri i Financave, Hekuran Murati, të dalë dhe të zotohet se do t’i zhbllokojë mjetet vetanake të komunave.
Për këtë vendim ka njoftuar deputetja e LDK-së, Vlora Dumoshi.
“Si Grup Parlamentar e kemi marrë një vendim politik i cili është i njohur tani. Arsyeja është që deri sa Ministri i Financave t’i zhbllokojë mjetet vetanake të komunave, ne nuk do të votojmë për asnjë pikë të rendit të ditës. Nëse Ministri del dhe zotohet se dio t’i zhbllokojë mjetet vetanake të komunave të Kosovës, ne do të votojmë për”, ka thënë Dumoshi.
Dumoshit i është përgjgjur Ministri Hekuran Murati, i cili ka thënë se duhet të bëhet kërkesa nga LDK-ja që ai “ta korrigjojë gabimin”.
“As që bëhet fjalë për bllokim të fondeve të komunave. Çka është problemi ka qenë një amandamentim te grupit parlamentar të juaj, për të cilin unë e kam sqaru që nëse kërkohet, sepse amandamenti që keni ba ju është gabim, që nëse kërkohet nga Grupi Parlamentar i LDK’së që unë si Ministër ta korrigjoj atë gabim që e keni ba ju, unë e bëj. Mirëpo, duhet të vijë kërkesa nga ju”, ka thënë Murati.