Kryesuesi i kuvendit komunal në Mitrovicë të Veriut, Nedzat Ugljanin, njoftoi se sot është marr vendimi që të hapet ura mbi lumin Ibër për qarkullim të automjeteve dhe lëvizje të lirë.
Siç njoftoi ai, vendimi u mor me shumicë votash në Kuvendin Komunal.
Menjëherë pasi kjo u bë e ditur, Lista Serbe ka lëshuar kërcënime se nëse kjo ndodh do të ketë incidente
Në një reagim të lëshuar, nga kjo parti e kanë quajtur vendimin që u mor me shumicë votash si “jolegjitim” dhe në kundërshtim me marrëveshjet e arritura në Bruksel.
“Lista Serbe dënon ashpër vendimin e kundërligjshëm dhe jolegjitim të shumicës së paligjshme dhe jolegjitime parlamentare në Mitrovicën e Veriut për hapjen e urës kryesore të qytetit për qarkullimin motorik, gjë që shkel marrëveshjet e Brukselit dhe kërcënon drejtpërdrejt paqen në këtë zonë. Duam të paralajmërojmë se hapja e mundshme e urës padyshim që do të rezultojë me incidente në këtë zonë, gjë që duket se është edhe qëllimi i Prishtinës”, thuhet në reagim.
Sipas pretendimeve të Listës Serbe ky vendim “është vazhdim i pushtimit të Veriut nga Albin Kurti”.
“Kërkojmë që KFOR-i, EULEX-i dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare urgjentisht të pengojnë zbatimin e këtij vendimi, t’i japin hapësirë për zgjidhjen e çështjeve të hapura në dialog dhe në këtë mënyrë të ruajnë paqen në këto fusha. Parandalimi i lëvizjeve të tilla nga ana e këshilltarëve të Prishtinës dhe Kurtit do të ishte në përputhje me kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare për të ndaluar të gjitha veprimet që cenojnë procesin e dialogut”, përfundon reagimi i tyre.