Konjufca e Kurti kërkojnë drejtësi për Masakrën e Mejës

E publikuar: 27/04/2023 14:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e kryeparlamentari Glauk Konjufca, kanë bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Lëndina e pikëllimit” në 24-vjetorin e masakrës së Mejës, raporton Ekonomia Online.

Nga aty, Kurti e Konjufca kërkuan drejtësi për të vrarit në këtë masakër. Kurti më tej tha se kanë iniciuar anëtarësim në Komisionin ndërkombëtar për persona të zhdukur dhe pret që kjo  nismë të miratohet edhe në Kuvend.

“24 vjet më vonë nuk kemi drejtësi e rehabilitim për familjarët e popullit tanë. Dje në mbledhjen e Qeverisë e iniciuam aderimin në Komisionin ndërkombëtar që është për persona të zhdukur dhe në Kuvend do të ratifikohet që në këtë organizatë të bëjmë hapa në gjetjen e personave të zhdukur me dhunë”, tha Kurti.

“Në mesin e të vrarëve janë edhe 11 nxënës dhe 20 arsimtarë, pra janë vrarë pa dallim gjinie e feje, ju shihni varret d myslimanëve e katolikëve, të cilët ishin vrarë vetëm pse ishin shqiptarë”, tha Kurti.

E kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se nga aparati shtetëror serb në Mejë u vrarë 377 shqiptarë.

Sipas tij, është e qartë përgjegjësia e Serbisë për krimet e kryera në Kosovë, por që ka munguar drejtësia për viktimat, raporton EO.

“Jemi këtu së bashku me kryeministrin për ta kujtuar përvjetorin e aktit më të madh të gjenocidit që ka ndodhur në vendin tonë që është masakra e Mejës, ku 377 shqiptarë janë ekzekutuar mizorisht prej forcave të ushtrisë dhe policisë serbe”.

“Kjo ditë është dita e të zhdukurve me dhunë, ku fillimisht do të flasim për atë që e ka bërë këtë masakër shtetin e Serbisë. Në çdo segment është e qartë urdhërdhënia, është e qartë përgjegjësia komanduese brenda aparatit shtetëror, prandaj duhet ta specifikojmë se përgjegjësi dihet, ajo që ka munguar është drejtësia që ka munguar në vendin tonë”.

Të pranishëm ishin edhe disa ministra të kabinetit qeveritar.