Në një raport të miratuar të mërkurën, eurodeputetët e Komisionit për Punë të Jashtme i BE-së i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësuesve të komunitetit serb në Kosovë që të angazhohen për dialog të denjë.
Eurodeputetët kanë lavdëruar Kosovën për progresin e saj në zbatimin e reformave që lidhen me Evropën dhe njëherit i kanë kërkuar BE-së që të përgatisë pa vonesë të mëtejshme një opinion mbi meritat e aplikimit të Kosovës për anëtarësim
Po ashtu, bëhet me dije se anëtarësimi i Kosovës në BE varet nga procesi i normalizimit të raporteve me Serbinë.
Tutje, në këtë raport, eurodeputetët përgëzuan Kosovën për arritjet në luftën e saj kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme i BE-së u bëjnë thirrje vendeve anëtare që ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet sovran, veçanërisht Spanjën, Sllovakinë, Qipron, Rumaninë dhe Greqinë, që ta bëjnë këtë pa vonesa të mëtejshme.
“Pavarësia e Republikës së Kosovës është e pakthyeshme, thonë eurodeputetët, duke shtuar se ritmi i procesit të anëtarësimit do të varet nga përparimi në sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore dhe normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë”, bën të ditur njoftimi.
Eurodeputetët kanë shprehur pakënaqësi me faktin që përfshirja e komunitetit serb në institucionet e Kosovës është shumë e limituar, ndaj edhe bëjnë apel që të dy palët të angazhohen në dialog.
Ndërkaq kritika bazë e eurodeputetëve ka të bëjë me Gjyqësorin, i cili, siç u theksua në raport të Komisionit, vazhdon të jetë joefikas dhe i cenueshëm ndaj ndërhyrjeve të panevojshme.
Ata inkurajojnë autoritetet kosovare që të zbatojnë instrumentet ekzistuese në mënyrë sa më efektive për të mbrojtur pavarësinë, efikasitetin dhe integritetin e sistemit të drejtësisë.
Raporti u miratua me 44 vota pro, 8 kundër dhe 3 abstenime ndërsa tash mbetet të dorëzohet për votim në Parlamentin Evropian në seancën plenare në maj.
Edhe anëtarësimi i Serbisë në BE varet nga normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën
Eurodeputetët i bëjnë thirrje BE-së të rishqyrtojë masën e ndihmës financiare të ofruar nga BE-ja për Serbinë nëse mbështetja për regjimet antidemokratike vazhdon.
Negociatat e pranimit me Serbinë duhet të avancojnë vetëm nëse përputhet me sanksionet e BE-së kundër Rusisë dhe bën përparim të rëndësishëm në reformat e lidhura me BE-në, thonë eurodeputetët në një raport të miratuar nga Komiteti për Punët e Jashtme të mërkurën.
“Dinamika e procesit të anëtarësimit me Serbinë do të përcaktohet nga progresi në sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore, funksionimi i institucioneve demokratike, përkushtimi ndaj të drejtave dhe vlerave të përbashkëta evropiane, si dhe në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, thuhet në raport.
Në këtë kontekst, ata theksojnë rëndësinë e harmonizimit me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë (CFSP) të BE-së, veçanërisht në lidhje me luftën agresioni të Rusisë kundër Ukrainës.
Eurodeputetët theksojnë me shqetësim se që nga publikimi i Raportit të Komisionit Evropian për 2020-ën për Serbinë, vlerësimi i tij për gjendjen e përgjithshme në 33 kapitujt e negociatave nuk është përmirësuar dhe se, në vitin 2022, Komisioni nuk zbuloi “progres të mirë” në asnjë kapitull.
Dezinformimi dhe përhapja e retorikës anti-BE
Bashkimi Evropian është partneri kryesor politik dhe ekonomik i Serbisë dhe deri tani donatori më i madh, theksojnë eurodeputetët, të cilët janë të shqetësuar për rënien e mbështetjes publike për anëtarësimin në BE.
“Ky është rezultat i një retorike politike të gjatë anti-BE/pro-ruse të përhapur gjerësisht përmes mediave të kontrolluara nga qeveria, si dhe nga zyrtarë qeveritarë dhe i një dështimi të madh nga ana zyrtare për t’u përballur dhe pajtuar me të kaluarën e Serbisë”, thonë më tej.
Eurodeputetët i bëjnë thirrje BE-së të rishqyrtojë masën e ndihmës financiare të ofruar nga BE-ja për Serbinë nëse mbështetja për regjimet antidemokratike vazhdon dhe i bëjnë thirrje Komisionit Evropian të sigurojë që të gjitha shpenzimet e BE-së të jenë plotësisht në përputhje me qëllimet dhe interesat strategjike të BE-së.
Përmirësime në gjyqësor
Raporti vlerëson masat që Serbia ka marrë për të forcuar pavarësinë e gjyqësorit dhe për të rritur transparencën dhe efektivitetin e institucioneve të sundimit të ligjit.
Ai vlerëson gjithashtu bashkëpunimin e mirë të Serbisë me BE-në për menaxhimin e migracionit të parregullt.
Duke vënë në dukje disa përparime në luftën kundër korrupsionit, raporti thekson faktin se nevojiten më shumë përpjekje të demonstrueshme dhe vullnet politik për të arritur rezultate të prekshme, veçanërisht në lidhje me krimin e rëndë dhe të organizuar.
Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është prioritet
Duke theksuar se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është prioritet dhe parakusht për anëtarësimin e të dyja vendeve në BE, eurodeputetët u bëjnë thirrje të dyja palëve të demonstrojnë lidership dhe të jenë të gatshëm të marrin vendimet e nevojshme që çojnë në përparim.
Ata i bëjnë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të angazhohen në Dialogun Beograd-Prishtinë në frymën e kompromisit për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme bazuar në parimin e njohjes reciproke në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe pa vonesa të mëtejshme.
Raporti u miratua me 43 vota pro, 6 kundër dhe 5 abstenime.
Raportet tani do të dorëzohen për votim në Parlamentin Evropian në tërësi në seancën plenare në maj.