Ambasadori shqiptar në OKB, Lavrovit: Ju është bërë obsesion Republika e Kosovës

E publikuar: 25/04/2023 22:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Këshilli i Sigurimit i OKB-së dje ka diskutuar për Ukrainën, ndërsa ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, i ka shfrytëzuar minutat e tij për t’u marrë edhe me Kosovën.

Lavrov tha ndër të tjera se institucionet e Kosovës nuk mund të përfaqësojnë interesat e serbëve që jetojnë në Kosovë, njëjtë si Kievi që nuk mund të përfaqësojë rusët në Donbas e Krime.

“Prishtina nuk mund të pretendojë se përfaqëson interesat e serbëve të Kosovës të cilëve iu premtua autonomia nga Bashkimi Evropian, ashtu si Berlini dhe Parisi premtuan status të veçantë për Donbasin, rezultatet e këtyre premtimeve janë të njohura, këtë e deklaroi me elokuencë Sekretari ynë i Përgjithshëm gjatë samitit të dytë për demokracinë më 29 mars”, deklaroi Lavrov.

Por, ndaj kësaj deklarate reagoi ambasadori i Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha.

Duke e akuzuar Rusinë për pushtimin e Ukrainës, Hoxha i tha Lavrovit se Kosova i është bërë obsesion Moskës.

“Në veçanti, Rusisë i është bërë obsesion t’i referohet Republikës së Kosovës, një shteti i njohur nga më shumë se gjysma e OKB-së, për të justifikuar veprimet e saj të paligjshme në Gjeorgji në vitin 2008 dhe në Ukrainë që nga viti 2014, që siç e dimë të gjithë, vazhdon deri në këtë orë. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka vendosur se pavarësia e Kosovës është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. E njëjta GJND që i ka kërkuar Rusisë të ndalojë luftën e saj. Prandaj, nuk ka asgjë që tingëllon më e zymtë sesa përpjekja e dëshpëruar ruse për të justifikuar të pajustifikueshmen dhe përpjekja e saj për t’u fshehur pas të papranueshmes”, tha ndër të tjera në fjalimin e tij ambasadori shqiptar në OKB, Ferit Hoxha.

Në fund, ai kërkoi nga Rusia që t’i japë fund luftës në Ukrainë dhe të tërheqë të gjithë trupat e saj nga ky territor.

“…Rusia duhet t’i japë fund luftës së saj, të tërheqë të gjitha trupat e saj nga Ukraina dhe të respektojë sovranitetin dhe integritetin e saj territorial brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht”, theksoi ambasadori Hoxha. /Klankosova.tv