Hill: Propozimi për Asociacionin me shumë gjasa në agjendën e 2 majit në Bruksel

E publikuar: 24/04/2023 12:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadori i SHBA-së në Beograd, Christopher Hill, tha se mendon se propozimi për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, me shumë gjasa do të diskutohet në bisedimet e ardhshme në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.

“Unë mendoj se në bisedimet e ardhshme do të flitet për Asociacionin. Siç e përmenda më herët, marrëveshjet që u nënshkruan në prani të njerëzve shumë seriozë nga komuniteti ndërkombëtar duhet të zbatohen,” tha Hill, raporton Danas.

Se në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq do të flitet për Asociacionin ka konfirmuar edhe emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.

Ai njoftoi se në takimin e 2 majit mes Kosovës dhe Serbisë do të bëhet prezantimi i draft statutit të parë të  Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Po në këtë takimit pritet të bëhet edhe miratimi zyrtar i Deklaratës për personat e Zhdukur.

Ditë më parë edhe i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha se pret që të ketë një propozim nga qeveria e Kosovës për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe deri më 2 maj kur takohen udhëheqësit e Kosovës e Serbisë.

Kurti e Vuçiq u takuan për herë të fundit në Ohër të Maqedonisë së Veriut kur edhe u morrën vesh për aneksin e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.