Trupi i një qytetari serb u gjet i pajetë në një nga tunelet e Ibër Lepencit, një rrjedhë e Liqenit të Ujmanit. Policia e Kosovës dhe Agjencia e Menaxhimit Emergjent kanë punuar së bashku për të gjetur trupin e të ndjerit
Është gjendur trupi i pajetë i një qytetari të komunitetit serb, i cili ishte raportuar si i zhdukur.
Lajmin e bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha se trupi i të ndjerit u gjet në një nga tunelet e “Ibër Lepencit”, që është rrjedhë e Liqenit të Ujmanit.
“Pas raportimit në Policinë e Kosovës për zhdukjen e një qytetari të komunitetit serb në fshatin Zupç të Zubin Potokut, Policia e Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë e Menaxhimit Emergjent kanë trajtuar me seriozitet njoftimin e zhdukjes së tij me dyshimin për rënie në kanalin e Ibër Lepencit, rrjedhë e Liqenit të Ujmanit. Sot, zhytësit e Njësisë Speciale Intervenuese të Policisë dhe ekipi i AME-së pas një pune me shumë përkushtim, kanë gjetur trupin e pajetë të qytetarit në një nga tunelet e këtij kanali”, ka shkruar Sveçla.