Liberalizimi i vizave
“Po pres të më njoftojnë për të shkuar për ta marrë pasaportën e Kosovës”, thotë Nenadi nga Mitrovica e Veriut, i cili do që të udhëtojë pa regjim vizash.
Vendimin për t’u pajisur me pasaportë të Kosovës e mori pasi dëgjoi nga mediat se qytetarët e Kosovës do të kenë me siguri liberalizim vizash.
Nenadi dëshiron të udhëtojë, sepse, siç thotë, ka shumë të afërm dhe miq në vendet perëndimore.
“Nuk kam mundur, sepse nuk kam dashur… Si ta them pa u treguar i vrazhdë… jam shtypur me atë pasaportën e qendrës së koordinimit që është lëshuar”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Bashkëqytetari i tij, Zorani, thotë se nuk e njeh “pasaportën e Kosovës”.
“Ajo që kanë marrë ata, është e turpshme. Nuk do ta merrja kurrë pasaportën e tyre, pra atë të Kosovës, edhe me çmimin që nuk dal kurrë prej vendit”, thotë Zorani.
Parlamenti Evropian ka miratuar më 18 prill vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, në bazë të të cilët qytetarët e vendit do të mund të udhëtojnë lirshëm në 27 shtete të Evropës, që përbëjnë zonën Schengen.
Një ditë më vonë, akti ligjor i BE-së për liberalizimin e vizave është nënshkruar po ashtu në Parlamentin Evropian.
Vendimi për lëvizje të lirë pritet të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit 2024, por regjimi i vizave do të vazhdojë të mbetet në fuqi për ata qytetarë të Kosovës që pasaportat i marrin nga Administrata Koordinuese e Ministrisë së Brendshme të Serbisë. Për këta qytetarë nuk ka vlejtur kurrë as liberalizimi i vizave për Serbinë, i cili ka hyrë në fuqi në dhjetor të vitit 2009.
Raportuesi i Parlamentit Evropian për vizat për Kosovën, Thijs Reuten, u pyet të mërkurën nga gazetarët në Strasburg nëse liberalizimin e vizave do të mund ta gëzojnë edhe serbët, të cilët kanë pasaporta të lëshuara nga Administrata Koordinuese e Serbisë.
“[Legjislacioni] është formuluar goxha me kujdes, ashtu siç thuhet, asgjë më shumë, asgjë më pak: qytetarët e Kosovës me dokument të lëshuar nga autoritetet e Kosovës mund të udhëtojnë lirshëm”, tha ai.
Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të aktit ligjor për liberalizim vizash, tha se të gjithë shtetasit serbë të Kosovës, që ende nuk janë të pajisur me pasaporta kosovare, do të kenë afat prej tetë muajsh t’i marrin ato, para se vendimi për vizat të hyjë në fuqi.
Të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, në lidhje me pajisjen e qytetarëve serbë me pasaporta të Kosovës, janë këto:
E ndikuar nga Beogradi zyrtar, shumica e serbëve në komunat veriore të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – kundërshton pavarësinë e Kosovës dhe institucionet e saj.
“Duhet t’i besojmë vendit tonë, Serbisë”
Zorani, i cili jeton në Mitrovicë të Veriut, beson se do të gjendet zgjidhje edhe për pasaportat e Administratës Koordinuese, të cilat i lëshon Serbia.
“Unë mendoj se do të vijë zgjidhja, njerëzit le të jenë të durueshëm, ne duhet të besojmë në vendin tonë – Serbinë”, shprehet ai.
Darkoja, një tjetër qytetar i Mitrovicës së Veriut, thotë se nuk është i gatshëm ta nxjerrë pasaportën e Kosovës, por nuk pret as nga Serbia që ta zgjidhë çështjen e pasaportave të lëshuara nga Administrata Koordinuese.
“Gjithçka është gënjeshtër. Madje, edhe shteti ynë – Serbia – nuk është shumë i sjellshëm me ne. Edhe nënë, edhe njerkë, kryesisht njerkë”, thotë Darkoja.
Për këto arsye, ai thotë se nuk udhëton.
“Ne nuk duam të jemi qytetarë të kësaj ‘kuazi-republike’”, thotë ai.
Bojan Milletiq, në anën tjetër, thotë se nuk e di se çfarë do të bëjë për çështjen e pasaportës.
“Nuk kam ndonjë qëndrim për këtë, por do të shoh, do të mendoj, pse jo”, shprehet ai.
Zoran Millenkoviq thotë se, me siguri, nuk do ta marrë pasaportën e Kosovës. Ai pret zgjidhje nga bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, që zhvillohen në Bruksel.
“Do të bëhet diçka që ne serbët ta kemi atë pasaportë serbe, ndoshta. Nuk e di tani, gjithçka varet se si do të na trajtojnë ata nga Serbia”, thotë ai.
Edhe pse vetë nuk dëshiron të ketë pasaportë të Kosovës, ai beson se njerëzit, gjithnjë e më shumë, do të fillojnë të marrin dokumente udhëtimi që i lëshon Kosova.
“E njëjta gjë ka ndodhur edhe me letërnjoftimet. Duam t’i nxjerrim, nuk duam t’i nxjerrim. Në fund i kanë nxjerrë të gjithë, 90 për qind, nëse jo më shumë”, thotë Millenkoviq.
Serbia nuk e njeh ende pavarësinë e Kosovës, e cila është shpallur në vitin 2008.
Qytetarëve të Serbisë me adresë banimi në Kosovë, pasaportat ua lëshon Administrata Koordinuese, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, dhe ata përjashtohen nga lëvizja pa viza.
Në vitin 2009, Serbia është dashur ta formojë këtë organ për të siguruar liberalizimin e vizave.
Para kësaj, shtetasit serbë me banim në Kosovë i kanë marrë pasaportat në Drejtoritë e Policisë, të cilat Beogradi zyrtar i ka zhvendosur në qytetet e Serbisë, pas luftës në Kosovë më 1999.
Kosova nuk i njeh këto pasaporta, sepse konsideron se ato lëshohen nga “institucione paralele ilegale”. /REL