Tre vdekjet ndodhën brenda një periudhe tre mujore – Ministria e Jashtme çeke tregoi shpejt se vdekja e tre diplomatëve tregon se ata punojnë “në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe shpesh janë të izoluar nga familjet e tyre.
Ka shqetësim të madh në qeverinë çeke pas vdekjes së papritur të tre diplomatëve të saj. Kjo ka ndodhur brenda një periudhe prej pesë muajsh. Siç raporton Politico, zyrtarët e lartë të vendit po i kërkojnë stafit të përmirësojnë ekuilibrin e tyre punë-jetë.
Ministri i Jashtëm çek Jan Lipavsky nxitoi të theksojë se vdekja e tre diplomatëve tregon se ata punojnë “në kushte jashtëzakonisht të vështira” dhe shpesh janë të izoluar nga familjet e tyre. Artikulli përkatës gjithashtu thekson se Lipavsky i dërgoi një letër stafit të ministrisë së tij duke u kërkuar nëpunësve të përpiqeshin të gjenin “raportin e artë” midis jetës së tyre profesionale dhe personale.
“Fakti që tre diplomatë çekë, të moshës 46 deri në 55 vjeç, kanë vdekur papritur në pesë muajt e fundit, ka mobilizuar qeverinë e vendit”, komenton Politico. Në letrën e siguruar nga kjo media, Jan Lipavsky u bën thirrje nëpunësve të ministrisë së tij që të mos nënvlerësojnë nevojën për t’u kujdesur për shëndetin e tyre fizik dhe mendor.
“Mos harroni se çdo punë, edhe kjo e jona, ka vlerat dhe aspiratat e veta, por edhe kufijtë”, nënvizohet në letrën përkatëse, duke shtuar se do të ishte e udhës të gjejmë një ekuilibër mes punës dhe jetës familjare. Vlen të theksohet se të tre diplomatët vdiqën brenda pesë muajve për shkaqe natyrore.
Vdekja e tyre “tregon se ky pozicion përfshin punën në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe shpesh të izoluar nga familja…
Kolegët tanë e kryejnë këtë punë edhe në zonat e luftës nën masa të rrepta sigurie me lëvizje të kufizuar në vendin ku ata janë të shkëputur. Diplomatët janë të ekspozuar jo vetëm ndaj presionit të madh në jetën e tyre profesionale dhe personale, por shpeshherë edhe ndaj kushteve të vështira klimatike”, thuhet ndër të tjera në letrën e Lipavsky-t.
Ai sqaron se ministria e tij është e gatshme të bëjë ndryshime për të ndihmuar diplomatët të përballen me presionet me të cilat përballen në punë. Masat në diskutim përfshijnë rritjen e shërbimeve të mbështetjes psikologjike për diplomatët dhe familjet e tyre.
“Ka një sistem mbështetjeje në ministrinë e Jashtme, duke përfshirë një psikolog,” tha ambasadorja çeke në BE, Edita Hrda.
Ajo pohoi se letra e Lipavsky-t ka të bëjë edhe me nëpunësit e delegacioneve të përhershme.
Muajin e kaluar, zëvendësambasadorja çeke në Izrael, Monika Studena, vdiq papritur në moshën 50-vjeçare.
Në shkurt, Jakub Dir, ambasadori çek në Poloni dhe ish përfaqësues i përhershëm i Republikës Çeke në BE, dha frymën e fundit në moshën 46-vjeçare.
Në nëntor 2022, ambasadorja çeke në Zvicër dhe Lihtenshtajn, Kateina Fialkova vdiq papritur në moshën 55-vjeçare.
Ndërkohë, ky është rasti për të kujtuar se një ambasador shqiptar në Çeki, Qazim Tepshi, ndërroi jetë pak vite më parë në rrethana të pasqaruara