I dërguari special dhe koordinatori për Qendrën Globale të Angazhimit, James Rubin, ka thënë se në vizitën e tij në shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk do të shkojë në Serbi sepse nuk mendon që është “diplomati më i mirë” për t’u takuar me zyrtarë të Qeverisë serbe
I dërguari special dhe koordinatori për Qendrën Globale të Angazhimit, James Rubin, në një intervistë për Radio Evropën e Lirë ka thënë se në vizitën e tij në shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk do të shkojë në Serbi sepse nuk mendon që është “diplomati më i mirë” për t’u takuar me zyrtarë të Qeverisë serbe.
“Nuk do të udhëtoj në Serbi me këtë rast. Shikoni, unë jam realist. E di se, duke marrë parasysh të kaluarën time, unë nuk jam ndoshta diplomati më i mirë për t’u takuar me zyrtarë të Qeverisë serbe”, ka thënë Rubin.
Rubin është shprehur se është në dijeni për realitetin në rajon dhe sipas tij Kosova dhe Serbia duhet t’i lënë pas disa nga padrejtësitë e të kalaurës dhe të fillojnë t’i normalizojnë marrëdhëniet e tyre.
“Unë jam në dijeni për realitetet e rajonit. Nga ana tjetër, ne kemi një mundësi tani – dhe mund të flasim për këtë në një minutë – ku Serbia dhe Kosova mund të fillojnë t’i normalizojnë marrëdhëniet e tyre dhe ne t’i lëmë pas disa nga këto padrejtësi të së kaluarës”, ka thënë Rubin.