Daçiq takohet me Ziadeh: Serbia nuk pajtohet me anëtarësimin e Kosovës në OKB

E publikuar: 10/04/2023 20:11
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Daçiq “vuri në dukje vijat e kuqe të Serbisë në procesin e dialogut. Me vijat e kuqe zyrtarët serbë nënkuptojnë që Serbia nuk është e gatshme të njohë pavarësinë e Kosovës apo të pajtohet me hyrjen e Kosovës në Kombet e Bashkuara”

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, të hënën e 10 prillit është takuar me Përfaqësuesen Speciale të Sekretarit të Përgjithshëm dhe Shefen e Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Caroline Ziadeh.

Gjatë këtij takimi është diskutuar për raportin gjashtë mujor të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, i cili do të prezantohet në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 27 prill të këtij viti, i cili prezanton situatën në Kosovë dhe domosdoshmërinë e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit.

Në njoftimin për media të MPJ-së serbe, theksohet se Daçiq ka thënë se ende nuk ka progres në zbatimin e obligimeve të marra nga Marrëveshja e arritur më 27 shkurt në Bruksel e më pastaj më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut.

Kjo sepse sipas tij, Kosova nuk po themelon Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Pos kësaj, në këtë takim është diskutuar edhe për situatën e sigurisë në Kosovë, sidomos “për incidentet e shpeshta kundër serbëve”.

Daçiq “vuri në dukje vijat e kuqe të Serbisë në procesin e dialogut”.

“Me vijat e kuqe zyrtarët serbë nënkuptojnë që Serbia nuk është e gatshme të njohë pavarësinë e Kosovës apo të pajtohet me hyrjen e Kosovës në Kombet e Bashkuara”.

Në anën tjetër, Ziadeh, ka falënderuar Serbinë për mbështetjen e punës së UNMIK-ut duke shprehur pritjet që bashkëpunimi i mirë do të vazhdojë.

Ndërsa Daçiq ka theksuar rëndësinë që Serbia i kushton angazhimit të Misionit të UNMIK-ut për të gjitha çështjet me rëndësi për zbatimin konsekuent të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe për mirëmbajtjen e statusit neutral të OKB-së në Kosovë.