Rubin trimëron Kurtin e Vuçiqin nga Podgorica: Duhen edhe disa vendime të vështira

E publikuar: 10/04/2023 18:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
James Rubin

I dërguari Special i SHBA’ve dhe koordinatori i Qendrës për Angazhim Global, James Rubin, i cili po qëndron për vizitë në rajon (Podgoricë, Shkup dhe Tiranë), ka folur për dialogun Kosovë -Serbi, duke thënë se disa vendime të vështira janë marrë, por duhen edhe disa tjera.

Rubin, që në Kosovë njihet si ish-Ndihmës i Sekretares së Shtetit Madeleine Albright nga periudha e Rambujesë, ka deklaruar se në rajon është duke parë dallime të mëdha në krahasim me periudhën e luftës.

“Tash mund të shohim perspektivën e anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE, nëse liderët i pranojnë shanset që u janë dhënë. Vetëm u duhet t’i marrin edhe disa vendime të vështira. Disa vendime janë marrë tashmë, por duhen edhe disa tjera” ka thënë ai në Podgoricë, gjatë një brifingu me gazetarë.

Sipas tij, rajoni do të ketë një të ardhme më të ndritur nëse marrëveshja Kosovë -Serbi implementohet.

Ai ka shtuar se SHBA’ i përshëndet marrëveshjet në të cilët BE është duke punuar dhe po i ndihmon Kosovës e Serbisë që të kenë raporte normale e po ashtu dhe popujve që të jetojnë krah njëri-tjetrit, t’i njohin simbolet, të drejtat dhe liritë e pakicave dhe të ecin tutje.

Rubin ka kërkuar që lufta e kundër dezinformimit të jetë prioritet i pushtetit të ri në Mal të Zi dhe se është i bindur se ky vend nuk do t’i kthehet Serbisë dhe Rusisë, pavarësisht ndikimit të Beogradit dhe Kishës Ortodokse Serbe. Por, ka thënë se përpjekjet për luftën kundër dezinformatave duhet të jenë 100 përqind, duke e përmendur se atje ka disa media që shpërndajnë propagandë ruse.

“Kanalet që shpërndajnë dezinformata duhet të bllokohen, duhet të ketë rregullativë. Nuk mund vetëm t’i përsërisni rrenat ruse dhe ta quani vetën gazetarë. Ajo nuk është gazetari, janë dezinformata. Duhet ta respektojmë lirinë e shprehjes, keni të drejtë te keni qëndrime dhe të raportoni për to. Por duhet gjetur kufirin ndërmjet lirisë së medias dhe dezinformatave të rrezikshme. Është e vështirë por nuk është e pamundur”

“Liderët e të gjitha partive kanë thënë se do të punojnë me ne dhe me Unionin Europian. Nuk besoj se do ata do të kthehen prapa në kohën kur Moska e ka udhëhequr hapësirën mediale” ka shtuar Rubin.

Sipas Rubin, agresioni rus u ka çelur sytë të gjithëve dhe se do të ishte mirë që besimtarët e Kishës Ortodokse Serbe të “kujtojnë se edhe ukrainasit janë ortodoksë dhe se ata janë viktima në këtë luftë”.

Më tej, Rubin ka shtuar se Rusia nuk do të donte të shihte normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Kjo është diçka që nuk i pëlqen Putinit, ka theksuar ai.

“Ka dallime (Aleksandar) Vuçiq po punon me zyrtarët e Kosovës për normalizim, kjo nuk është diçka që Putini nuk e ka kërkuar apo e ka dashur”.

Tutje Rubin ka thënë se Pekini dhe Moska po shpenzojnë miliarda dollarë për të manipuluar opinionin në mbarë botën.