Kosova kandidate për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, Kurti jep lajmin

E publikuar: 04/04/2023 18:20
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Albin Kurti qe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se Kosova do të jetë shtet kandidat për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Këtë ai e ka bërë të ditur me anë të një postimi në Facebook. Për sportet që kërkohet qasje në det, është arritur marrëveshje me Shqipërinë për shfrytëzimin e bregdetit shqiptar.

Ky është postimi i plotë:

Kosova është zyrtarisht shtet kandidat për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Më poshtë gjeni deklarimin e plotë për media pas takimit të sotëm me zëvendësministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, dhe Presidentin e Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi:

Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,

Të nderuara media,

Pak më herët përfunduam takimin e përbashkët me Komitetin Olimpik të Kosovës.

Kam kënaqësinë time të veçantë që të ndaj me ju lajmin e shkëlqyeshëm – se Kosova zyrtarisht është shteti kandidat për organizimin e Lojërave Mesdhetare, “Prishtina 2030”.

Sporti zë vend të veçantë në zemrën e çdo qytetari të Kosovës. E kjo, si rezultat i talentit dhe sukseseve të shumta të sportistëve tanë në arenën ndërkombëtare. Përderisa e tërë bota sheh dhe dëgjon për këto rezultate, ne jemi shumë të lumtur që këtë organizim madhështor ta sjellim afër sportistëve dhe qytetarëve të Kosovës duke promovuar paqen, shëndetin, unitetin dhe përsosmërinë në rajonin e Mesdheut dhe më gjerë.

Organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030 në Kosovë, do të shënojë moment historik të zhvillimit të sportit vendor, dhe jo vetëm, konsideruar se Lojërat Mesdhetare të vetmet të organizuara në rajonin e Ballkanit, janë ato në vitin 1979 në Split të Kroacisë.

Lojërat 2030, shënojnë edicionin e 21-të të kësaj ngjarjeje multi-sportive e cila i bënë bashkë sportistët dhe qytetarët e 26 shteteve të tri kontinenteve të cilët preken nga ujërat e Mesdheut.

Përkundër që Kosova e rrethuar me dhe, dhe me male, për të gjitha sportet të cilat kërkojnë qasje në det, jemi pajtuar me Shqipërinë se do të organizohen në bregdetin shqiptar.

Qeveria e Kosovës ka identifikuar qartë vizionin për zhvillim të sportit në vendin tonë.

Ashtu siç kam thënë edhe më herët, sporti dhe aktiviteti fizik janë prioriteti ynë shtetëror. Mbështetjen për sportin e kemi rritur 200% krahasuar me vitet 2019 dhe 2020.

Buxhetin e federatave e gjetëm me 3 milionë euro, e sivjet kemi ndarë mbi 8 milionë euro. Deri më tani licencuam 23 federata sportive. Mbi 300 aktivitete sportive të zhvilluara në Kosovë, e me pjesëmarrje në mbi 200 aktivitete ndërkombëtare. Kurse në fund të shtatorit të vitit të kaluar, e lansuam programin 5-vjeçar me vlerë 12 milionë euro “Kosova – Shtet i Xhudos”.

Koncepti i organizimit të Lojërave Mesdhetare në Kosovë, parasheh shtrirjen e organizimit në tërë territorin e Kosovës me theks të veçantë në 7 komunat më të mëdha në vend. Përmes këtij koncepti, do të sigurojmë trashëgimi të qëndrueshme të këtij investimi, dhe njëkohësisht ndikimi do të ndjehet në çdo cep të vendit tonë.

Mirëpritja e këtyre Lojërave në Kosovë në vitin 2030, pasqyron vizionin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të ardhmen e të rinjve tanë.

– Konsolidimi i imazhit shtetëror në arenën ndërkombëtare;

– Përforcim i përkatësisë dhe identitetit shtetëror;

– Infrastrukturë fizike e modernizuar;

– Ekonomi e ringjallur përmes krijimit të vendeve të reja të punës dhe zhvillimit të turizmit sportiv;

– Fuqizim i politikave sociale dhe tejkalim i sfidave të shoqërisë në përgjithësi; dhe

– Fuqizim i rezultateve sportive dhe zhvillim i qëndrueshëm i sportit në vend; këto pra janë vetëm disa nga përfitimet direkte të Kosovës përmes këtij organizimi.

Përgjatë viteve, ne kemi dëshmuar përkushtimin tonë për paqe, vullnetin tonë për të rikuperuar kujtimet e së kaluarës, si dhe vendosmërinë për të zhvilluar narrativa të reja të cilat prezantojnë zhvillimin dhe diversitetin tonë kulturor.

Andaj, së bashku me Komitetin Olimpik të Kosovës do të punojmë me shumë kënaqësi dhe entuziazëm që në vitin 2030 të mirëpresim komunitetin sportiv nga tri kontinentet e Mesdheut.

Për fund, dua që në emër të qytetarëve dhe sportistëve të vendit tonë, të falënderoj Komitetin Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare si dhe Lëvizjen Olimpike në përgjithësi për punën dhe kontributin e vazhdueshëm në ndërtimin e një shoqërie të shëndetshme dhe të bashkuar.

Urime të gjithëve pra, kandidimi i Kosovës, i shtetit tonë, Republikës sonë për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Ju faleminderit shumë.