Shtyhet gjykimi për mashtrimin e 242 personave me bileta, mungojnë përfaqësuesi i Prokurorisë dhe njëra e akuzuar

E publikuar: 31/03/2023 16:03
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Prishtinë- Mungesa e përfaqësuesit nga Prokuroria dhe të akuzuarës Stefanie Zabel, u bë shkak që të dështojë shqyrtimi fillestar për mashtrimin e 242 personave me bileta nga “Prishtina Jet”, i paraparë të mbahej të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Në këtë rast, e akuzuara Zabel bashkë me Mentor Kazazin, Arbër Blakçorin dhe Nesret Hoxhën, po akuzohen për mashtrimin e 242 personave lidhur me shitjen e biletave nga Agjencioni Turistik “Prishtina Jet”, Kurse, i akuzuari Kazazi po ngarkohet edhe për veprën penale “Shmangie nga tatimi”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e përfaqësuesit nga Prokuroria e Shtetit, gjykatësi Eroll Gashi tha se “prokurori ka qenë i njoftuar me procesverbal”, por që nuk ishte në dijeni nëse do duhej të ishte i pranishëm prokurori që e ka përpiluar aktakuzën, Bekim Kodraliu apo ndonjë përfaqësues tjetër nga kjo Prokurori.

Lidhur me këtë, “Betimi për Drejtësi” ka provuar të marrë informata se cili prokuror/prokurore është dashur ta përfaqësojë aktakuzën e Prokurorisë Themelore në seancën e sotme, duke kontaktuar me kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi, i cili tha se nuk ka njohuri për këtë çështje dhe na orientoi t’i drejtohemi zëdhënëses Laureta Ulaj për këtë informacion.

Mirëpo, Ulaj përmes një mesazhi tregoi se gjendet në një punëtori.

Kurse, lidhur me mungesën e të akuzuarës Zabel, mbrojtësi i saj, avokati Ylli Bokshi njoftoi gjykatën se ajo mungon për arsye shëndetësore, për çka gjykatës i prezantoi dëshmi për të njëjtën. Ai kërkoi që seanca e sotme të shtyhet, meqenëse mungoi se përfaqësuesi nga Prokuroria.

Në këto rrethana, seanca e sotme u shty në kohë të pacaktuar, kurse për seancën e radhës palët do të njoftohen me ftesa.

Të pranishëm në këtë seancë ishin: i akuzuari Mentor Kazazi me avokatin Artan Qerkini, Arbër Blakçori me mbrojtësit e tij, avokatët Naim Rudari dhe Valdet Zeqiri, i akuzuari Nesret Hoxha me avokaten Kosovare Kelmendi, si dhe të dëmtuarit S.G dhe E.H.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 24 nëntor 2022, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, nga viti 2020 e në vazhdimësi e deri më 4 gusht 2022, në rrugën “Luan Haradinaj”, në Prishtinë, respektivisht në lokalin e Agjencisë Turistike “Prishtina Jet” sh.p.k, si dhe në Podujevë në rrugën “Zahir Pajaziti”, në një zyrë të një banese kolektive, të pandehurit, pas një marrëveshje paraprake dhe në bashkëkryerje, me qëllim që vetes t’i sjellin përfitim pasuror në mënyrë të kundërligjshme, i kanë vënë në lajthim një numër të konsiderueshëm bashkatdhetarësh, tani të dëmtuar, duke i nxitur që të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre përmes paraqitjes së fakteve të rreme.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Mentor Kazazi si pronar, kurse Arbër Blakçori si menaxher i Agjencisë Turistike “Prishtina Jet” sh.p.k., u kanë shitur të dëmtuarve bileta fiktive për udhëtim me aeroplan nga Gjermania dhe Zvicra për në Prishtinë dhe anasjelltas, të cilët përmes reklamimit në ueb-sajtin e tyre dhe sms-ve, u kanë dërguar të dëmtuarve oferta joshëse për blerje të biletave fiktive me një çmim më të lirë se sa çmimi real, të cilat fluturime nuk janë realizuar asnjëherë ngase nuk kanë qenë të planifikuara e as të rezervuara apo të konfirmuara në sistemin e fluturimeve në Aeroportin e Prishtinës, e as të atyre të Gjermanisë dhe të Zvicrës.

Tutje, sipas aktakuzës, të pandehurit Stefanie Zabel dhe Nesret Hoxha, përmes një marrëveshje (kontratë interne, e panoterizuar) të nënshkruar me të pandehurin Mentor Kazazi, kanë krijuar një xhirollogari bankare në një bankë në Lucern të Zvicrës, të cilët në këmbim të një kompensimi prej 4 euro për çdo transaksion, u kanë mundësuar shitjen e biletave fiktive të dëmtuarve në emër të Agjencionit Turistik “Prishtina Jet”, ku pastaj mjetet e mbledhura nga shitja e këtyre biletave, prej mijëra eurosh, i kanë transferuar në xhirollogaritë bankare të “Prishtina Jet” sh.p.k, në Prishtinë dhe në llogari tjera të të pandehurit Mentor Kazazi, kurse shumën prej 26,000.02 CHF i kanë transferuar në llogarinë bankare të tani të pandehurit Nesret Hoxha.

Me këtë, thuhet se 242 të dëmtuarve, u kanë shkaktuar dëm material në shumën prej 165 mijë e 246 euro si dhe 56 mijë e 981 franga zvicerane.

Me këtë, të pandehurit ngarkohen se në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi kanë kryer veprën penale “Mashtrimi” nga neni 323, paragrafi 4 lidhur paragrafin 1 dhe nenet 31 dhe 77 të Kodit Penal.

Tutje sipas aktakuzës, në dispozitivin e dytë thuhet se i pandehuri Mentor Kazazi, nga viti 2020 e deri më 6 maj 2022, në cilësinë e personit përgjegjës të subjektit afarist, respektivisht agjencionit turistik “Prishtina Jet”, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror ka bërë shmangie nga pagesa e tatimeve të parapara me legjislacionin tatimor në Kosovë.

Aktakuza thotë se pas një kontrolli të bërë në lokalin e tij, më 6 maj 2022 nga ana e inspektorëve të Administratës Tatimore të Kosovës, është konstatuar se i pandehuri Mentor Kazazi i ka deklaruar rrejshëm të hyrat dhe arkëtimet e realizuara nga qarkullim i biznesit të tij tek organet kompetente, respektivisht te ATK-ja, për periudhën e lartcekur kohore, çka me këtë ka bërë shmangie tatimore dhe ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës në shumën prej 24 mijë e 928 euro e 38 centë .

Me këtë, i njëjti akuzohet e ka kryer veprën penale “Shmangie nga tatimi” nga nenin 307, paragrafi 2 të Kodit Penal.