Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, të enjten e 30 marsit është takuar me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog.
Haradinaj përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se gjatë këtij takimi është diskutuar për zhvillimet politike në vend, kjo edhe në frymën e obligimeve që duhet t’i kryejnë palët si rezultat i marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
“Shpreha konsideratën time për angazhimin unik të shteteve anëtare të BE-së për arritjen e kësaj marrëveshjeje. Po ashtu, pata kënaqësinë që të pranoj vlerësimin e Ambasadorit Szunyog për rolin konstruktiv të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe timin gjatë gjithë këtij procesi”, shkroi kreu i AAK-së.
Sipas tij, implementimi i kësaj marrëveshje hapë një perspektivë më të qartë integruese të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në strukturat euro-atlantike.